U.D. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani

Presidentja Osmani dhe Bekim Jashari vizitojnë kullën e Ilaz Kodrës në Skenderaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e komunës  së Skenderajt, Bekim Jashari kanë vizituar Kullën e heroit Ilaz Kodra, në Skenderaj.

Në një adresim para mediave, Osmani tha se Kodra bashkë me luftëtarët tjerë e dhanë këmbanën e lirisë.

“Sot në 22 vjetorin e rënies heroike së bashku me kryetarin e Skenderajt, z. Jashari me familjarët, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, nderuam heroin e Kosovës, Ilaz Kodrën i cili ishte ndër luftëtarët e parë të lirisë, ishte ndër luftëtarët më të hershëm, dora e djathtë e Adem Jasharit, komandantit legjendar me të cilin e dhanë këmbanën e lirisë”, tha ajo.

Osmani shtoi se Ilaz Kodra mbrojti civilët e martirët që po sulmoheshin nga forcat serbe.

“Kjo kullë është simbol jo vetëm i qëndresës së tij por simbol i qëndresës shqiptarë për liri dhe për pavarësinë e vendit tonë”, u shpreh ajo.

Kurse, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari falënderoi presidenten Osmani për vizitën ndaj dëshmorëve dhe të rënëve të UÇK-së.

“Çkado që mundohemi të flasim për Ilazin mund të harrojmë diçka dhe mund të gabojmë e pastaj mund të lëndohemi edhe ne vetë se lëre më të tjerët. Ilazi ishte një kryevepër, lavdi jetës së tij dhe të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.