Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentja e Kosovës merr ftesë nga presidenti Biden për Samitin e Demokracisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka konfirmuar se ka marrë ftesë zyrtare nga Presidenti i ShBA-ve, Joseph Biden për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci, që do të mbahet më 9-10 dhjetor të këtij viti..

“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt ndërtimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet”, ka bërë të ditur Presidentja.

Presidentja Osmani tha se ftesa ka ardhur pas takimeve që pati javën e kaluar në Washington.

“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden. Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në Samitin e Demokracisë, Presidentja ka theksuar se do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat e Kosovës.

“Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore”, është shprehur Osmani.

Më 5 nëntor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e kishte konfirmuar që Republika e Kosovës nuk do të jetë pjesë e “Samiti i Presidentit për Demokraci” që do të mbahet në dhjetor të këtij viti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i ambasadës, Eric Brassil deklaroi se jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë iniciativë.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është një nga iniciativat e shumta të SHBA-ve të fokusuara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut në mbarë globin. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë iniciativë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane për KALLXO.com.