Presidenti i Shqipërisë: Sulmi ndaj policisë akt i organizuar kriminal ndaj rendit dhe sigurisë

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka dënuar sulmin e njw grupi terrorist në veri të Kosovës ku një polic mbeti i vrarë dhe dy tjerë të plagosur.

Ai ka thënë se ky është akt i organizuar kriminal për cenim të sigurisë në Kosovë.

“Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”- ka shkruar Begaj.

Tutje, Begaj i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai po ashtu ka theksuar se nevojitet qetësi e bashkëpunim me KFOR-in dhe aleatët.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”- është shprehru Begaj.

 

Lidhur me sulmin ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili e ka konsideruar si këmbanën më të madhe të alarmit për rrezikun e eskalimit të krizës në konflikt të armatosur,

“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”- ka shkruar Rama.

Sipas Ramës, thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje është domosdoshmëri strategjike.

“Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, “e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”- është shprehur ai.