Presidenti bullgar e Presidentja Osmani flasin për bashkëpunimin mes dy shteteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologu i saj bullgar, Rumen Radev shprehën përkrahjen e tyre për njëri-tjetrin dhe folën për bashkëpunimin mes dy vendeve, në një konferencë për media, pas takimit të tyre në Prishtinë.

Presidenti bullgar, Ruman Redev shprehi përkrahjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe foli për mundësinë e hapjes së një dhome tregtie mes dy vendeve.

“Duhet te them se Bullgaria është nga vendet e para qe ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe mund të shpresoni në përpjekjet tona. Bullgaria do të vazhdojë të japë ndihmë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës” – tha ai.

Radev tha se pavarësisht tendencës pozitive për shkëmbimin e mallrave mes Kosovës e Bullgarisë, akoma ka potencial të pashfrytëzuar për zhvillimin e ardhshëm. Prandaj, sipas tij duhet aktualizuar një pjesë e memorandumeve të lidhura dhe të zgjerohet baza juridike me marrëveshje të reja.

Ai tha se ndajnë bindjen që bashkëpunimi ekonomik është kyç për zhvillimin e sferave të tjera dhe tregoi se kanë shqyrtuar propozimet konkrete për thellimin e marrëdhënieve në energjetikë, investime, bujqësi, arsim, shkencë, kulturë dhe turizëm.

“Dua të përshëndes dy palët që në drejtim të kësaj të kemi një dhomë tregtie mes Bullgarisë dhe Kosovës. Të mund të bëjmë jo vetëm tregti por edhe të prodhojmë bashkë. Të shkojmë në tregjet e treta” – u shpreh Radev.

I pari i Bullgarisë shprehi shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës dhe tha që dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet.

“Ne ngulim këmbë që BE të ketë rol aktiv në dialogun intensiv. Politika e BE-se duhet të jetë transparente” – tha më tej Radev.

Kryetarja e Kosovës tha se llogarisin në përkrahjen e Bullgarisë ndaj Kosovës deri në anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, teksa përmendi edhe disa prej momenteve të rëndësishme mes dy shteteve.

“Që nga 1999 kur është shënuar angazhimi i parë i Bullgarisë në Kosovë e deri më tani, Bullgaria ka dhënë kontribut si angazhimi në KFOR, njohja e pavarësisë, përkrahja për integrimin euroatlantik” – tha Presidentja Osmani.

Vetëm anëtarësimi në NATO do të mund të ketë efekt afatgjatë për paqe dhe stabilitet në rajon, sipas saj.

“Kosova si vend që ndan vlera të përbashkëta me ju dhe shtete tjera, mbetet e palëkundur në përkushtimin për të ndërtuar raporte me të gjithë. Do të hapim kapituj të rinj që pasurojnë partneritetin tonë. Ne e shohim Bullgarinë si shtet mik, partner e aleat. Mund të llogarisni gjithnjë në Kosovën” – shtoi Vjosa Osmani.

Presidenti Radev, sot do të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.