Foto: Hashim Thaçi/ Twitter

Presidenti as sot s’e dërgoi në Kuvend dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme

Tri ditë pas paralajmërimit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka dërguar ende në Kuvendin e Kosovës propozimin e tij përmes një dekreti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të coronavirusit.

Këshilltari i kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, Artan Murati ka konfirmuar për KALLXO.com se presidenti nuk e ka dërguar dekretin në legjislativ.

Ndërkaq, dy ditë më parë presidenti Thaçi tha para gazetarëve se dokumenti po shqyrtohet nga Zyra Ligjore e Presidencës dhe ajo e Kuvendit.

KALLXO.com e ka kontaktuar Besim Kajtazin nga Zyra Ligjore e Presidencës, por i njëjti nuk pranoi të jap përgjigje.

“Në zyrën e informimit i merrni krejt informatat”, tha Kajtazi, duke e mbyllur më pas telefonin.

KALLXO.com dje ka dërguar pyetje në Zyrën për Media të Presidencës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke mos përmendur propozimin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, sot ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke e menaxhuar dhe duke e kufizuar përhapjen e coronavirusit.

Përmes një pubikimi në Facebook, presidenti ka shkruar se rolin kryesor tani e kanë qytetarët, për t’iu përmbajtur rekomandimeve.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e ka konsideruar si masë ekstreme dhe të panevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri Albin Kurti të mërkuren para gazetarëve tha se Thaçi u zbraps disi nga ideja për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 21 raste me coronavirus.

 

Si do të veprojnë grupet parlamentare ndaj dekretit të Thaçit?