Ilustrim

Premtimet për kifle, si po ushqehen nxënësit në Gjilan e Kamenicë?

Megjithëse praktikë më e shpeshtë në kryqytet, edhe disa qytete të tjera të Kosovës kanë marrë premtime për shujta të nxënësve.

Kiflet janë ushqimi që zakonisht shpërndahet në shkolla në zonat ku veçse është bërë e mundur ndarja e shujtave.

Shujta ishin premtuar edhe për nxënësit në Komunën e Gjilan. KALLXO.com merr vesh se momentalisht kifle po marrin vetëm nxënësit në zonat rurale.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri para se të merrte mandatin e dytë si kryetar i kësaj komune, në listën e premtimeve të tij kishte futur edhe ofrimin e shujtave për nxënësit e shkollës fillore.

Haziri në “Debat Përnime” të Jeta në Kosovë ,me 13 nëntor të vitit 2017 që ishte në balotazh më kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi kishte thënë se do të mbahet në mend për realizimin e këtij premtimi.

“Vitin e ardhshëm do t’i bëjmë pagat për arsimtarët pensionstë dhe do ta aplikojmë ushqimin për fëmijët e shkollave fillore”, kishte premtuar Haziri.

Megjithëse gjatë vitit 2018, ky premtim nuk u realizua, ai këtë e kishte përfshirë në Planin e Punës të komunës së tij të vitit 2019.

“DKA, në bashkërenditje me MASHT për vitin 2019, do të angazhohet në ngritjen e cilësisë duke u bazuar në masat e: 2.1.Fuqizimit të punës së aktiviteteve profesionale 2.2. Fuqizimi i ekipit vlerësues për procesin e vetëvlerësimit të shkollave….. 2.3.. Furnizimi me shujta ditore për nxënësit e shkollave fillore, për nxënësit nga klasa e ( I – V)”, thuhet në planin e punës.

Por komuna e Gjilanit nuk është duke e  bërë shpërndarjen e kifleve në të gjitha shkollat për nxënësit e ciklit të ulët 1-5 në komunën e Gjilanit.

KALLXO.com ka biseduar më telefon me Drejtorin e Arsimit, Nazim Gagica dhe tregon që për shkak te kostos së lartë komuna ka  vendosur që vetëm në zonat rurale, nxënësit të furnizohen me shujta.

‘’ Për shkak të mundësive financiare të  kostos  së naltë del gjysë milionë shpenzime për të gjitha shkollat në komunën tonë për furnizimin me kifle  dhe në pikat ku e kemi paraparë të nevojshme kemi vendosur të bëhet shpërndarja e kifleve që ka ndikuar dukshëm në uljen e mungesës në aspektin financiar vetëm në zonat rurale. Jemi duke menduar një formë tjetër të furnizimit më ushqim ‘’ ka thënë Gagica.

 

Ndërsa  zyrtarja  e kësaj komuna, Majlinda Hoxha tregoi se furnizimi me kifle momentalisht po bëhet për shkollat  ‘’ Bajram Curri ‘’ – Shurdhan, ‘’ Aferdita ‘’ – Kishnapole, ‘’ Fetah Qerimi ‘’ – Verbicë e Zhegocit”, tha ajo.

Ajo shtoi se   Ne periudhën kohore shkurt – qershor 2019 për këtë furnizim  gjithsej janë shpenzuar 7 mijë e 823.82 Euro ‘’ ka njoftuar ajo .

Kamenica me shujta për filloristët

Ndryshe nga Komuna e Gjilanit, Kamenica ka siguruar shujta për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

Zyrtarja e Drejtorisë së Arsimit të Kamenicës Mirhane Morina për KALLXO.com ka dhënë detaje mbi furnizimin me kifle.

‘’ Këtë vit shkollor 2019/20 shujta per nx. parafillor, 1 – 5  ka fillu të shpërndahet  në 16 shkolla amë dhe 16 paralele të ndara fizike.Vitin e kaluar 2018/19 shujta për nx. parafillor, 1 – 5  u shpernda ne 19 shkolla amë dhe 16 paralele të ndara fizike”, tha Morina.

Ajo tregoi se çmimi i tenderit për tri vite është 472 mijë e 649 euro.

Ndërsa nga fillimi i shpërndarjes në nëntor të vitit 2018 e deri në qershor të këtij viti sipas saj janë shpenzuar   109 mijë e 398 euro.

Nënshkruhet marrëveshja për shujta për nxënësit e komunës së Kamenicës