Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prebreza: Rimbursimi vetëm për ata që i kanë deri në 10 mijë euro në Trust është diskriminues

Gazetari i ekonomisë dhe redaktori i KALLXO.com, Visar Prebreza, ka thënë se vendimi që të rimbursohen vetëm ata që i kanë deri në 10 mijë euro në Trustin pensional është diskriminues.

Ai konsideron se ky është vendim arbitrar i vendosur në ditën e fundit nga Qeveria.

“Sektori publik kryesisht i ka rreth 10 mijë euro kursime, ka shumë persona që rroga e dhjetorit i vë në mbi 10 mijë euro dhe nuk marrin rimbursim nga Qeveria. Kjo është një politikë e Qeverisë që është vendosur në ditën e fundit që personat që i kanë deri në 10 mijë euro të rimbursohen. Kjo është një politikë arbitrare dhe diskriminuese ndaj qytetarëve të tjerë, dhe konstatimi ose paragjykimi që personat që i kanë mbi 10 mijë euro në Trust janë të pasur ka qenë një gabim i madh”, ka thënë Prebreza.

Visar Prebreza thotë se ka persona që kanë punuar shumë vite me pagë mesatare dhe nuk arrijnë të fitojnë nga rimbursimi dhe ka të tillë që janë punësuar vonë, me pagë shumë më të madhe, por fitojnë nga rimbursimi.

“Shumë qytetarë që kanë punuar në sektorin publik që nga viti 2003-2004 e kanë arritur 10 mijë euro në Trust. Pra një mësues që punon shume vite e ka arritur këtë shumë dhe nuk kompensohet kurse, një i ri që mund të jetë punësuar para 4-5 viteve, që mund ta ketë pagën 1,000 euro, rimbursohet”, ka shtuar Prebreza në emisionin kushtuar tërheqjes së 10-përqindëshit të kursimeve nga Trusti.