Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia: Raportohen pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Në raportin e fundit të Policisë së Kosovës është njoftuar për pesë raste të dhunës në familje.

Rastet janë shënuar në Prishtinë, Obiliq dhe Pejë, ndërsa të dyshuarit janë burra.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se një burrë ka ushtruar dhunë psiqike ndaj saj. Policia ka njoftuar se gruaja është sistemuar tek familja e saj, ndërsa i dyshuari është kërkuar por nuk është hasur. Sipas policisë rasti nën hetime.

Më 09.06.2024 një burrë është arrestuar në Obiliq pasi i njëjti kishte rrahur një grua. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor. Sipas policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërsa tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Pejë.

Më 09.06.2024 një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka rrahur burrë tjetër dhe i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një burrë tjetër është arrestuar në Pejë nën dyshimin se kishte thyer disa gjësende në shtëpi duke i shkaktuar edhe vetës lëndime dhe më pas ishte larguar nga shtëpia. Me vendim të prokurorit i dyshuari  është dërguar në mbajtje.

Edhe një burrë tjetër është arrestuar në Pejë pasi që i njëjti kishte rrahur një grua. Si pasojë e lëndimeve të pësuara, viktima është dërguar për tretman mjekësor. Në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.