RRAHMAN JASHARAJ

Policia në zyrën e BSPK-së, intervistojnë Jasharajn për sulmin e djeshëm

Policia e Kosovës sot ka shkuar në zyrën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), për të intervistuar kryetarin e Sindikatës së Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në lidhje me sulmin në shkollën “Ismail Qemajli” në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vetë Jasharaj, i cili ka thënë se dy pjesëtarë të Policisë kanë qenë në zyrën e BSPK-së në lidhje me rastin e djeshëm

“Është e vërtetë që dy pjesëtarë nga Policia kanë qenë në BSPK dhe ardhja e tyre lidhet me atë ngjarjen që ndodhi dje gjatë vizitës time në shkollën “Ismail Qemajli”. Pasi që I kanë marrë në intervistë disa dëshmitarë, kanë ardhë në BSPK dhe më kanë kanë telefonuar dhe më kanë intervistuar si palë e dëmtuar. Më kanë pyetur për përshkrimin që ja kam bërë asaj situate që do ishte shumë më mirë të mos ndodhte”- ka konfirmuar Jasharaj për KALLXO.com.

Jasharaj theksoi se është intervistuar në cilësi të palës së dëmtuar.

“Më thanë që në fillim se po më intervistojnë dhe po marrin deklaratë si palë e dëmtuar që jam”- u shpreh Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj, dje ishte shtyrë nga një person pas një takimi që pati me mësimdhënësit në shkollën fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë.

Ndërkaq, Policia ka arrestuar të moshuarin i cili dyshohet se tentoi të sulmojë kryetarin e SBASHK-ut, Jasharaj.

Arrestohet i moshuari që dyshohet se tentoi të sulmojë Rrahman Jasharajn