Policia në aksion, gjobiten shoferët që përdorën telefonin

Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion, Policia e Kosovës sot ka zhvilluar planin operativ “Telefoni”.

Zyrtarët policor të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Prishtinën përmes bashkëpunimit në dy pika të ndryshëm kanë arritur që identifikojnë kundërvajtësit në trafik.

Për t`u realizuar ky operacion njëri nga këta polic ka qëndruar larg kolegëve të tij për të parë se kush nga vozitësit po shkel rregullat në komunikacion.

I njëjti përmes radiolidhjes ka njoftuar policët e tjerë se cila veturë duhet të ndalohet.

Në krye të këtij plani operativ ka qenë rreshteri Qerim Hetemi.

Ai ka treguar për KALLXO.com se në vazhdimësi janë duke u implementuar aksione të tillë me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe të humbjeve të jetëve si shkak i aksidenteve.

“Konkretisht tashmë në këtë pikë kontrolli jemi të angazhuar në identifikimin dhe marrjen e masave ndaj kundërvajtësve të cilët e përdorin telefonin”, ka thënë Hetemi për KALLXO.com.

Sipas rreshterit, përdorimi i telefonit është një nga shumë shkaktarë të tjerë që sjellin deri në aksidentet në mes veturave.

“Sipas statistikave të nxjerra nga ana e Policisë së Kosovës përdorimi i telefonit është një nga shkaktarët kryesor, duke i shtuar këtu tejkalimin e shpejtësisë, dritës e kuqe në semafor si dhe kundërvajtje të tjera që kryesisht janë si shkaktarë të aksidenteve”, ka shtuar tutje ai.

Gjobat që marrin kundërvajtësit bazohen në Ligjin për Rregullat e Trafikut.

Neni 231 është ai që cakton gjobën prej 40 euro për personat që përdorin telefonin gjatë lëvizjes me automjete.

Një gjobë e tillë iu është shqiptuar sot nga policia disa personave.

“Vozitësi është ndal nga njësitë tjera është pa në telefon dhe është ndal në bazë të planit operativ për përdorimin e telefonit”, ka thënë polici Kushtrim Sadiku.

“Arsyeja e ndaljes është përdorim i telefonit gjatë vozitjes e cila me ligjin mbi trafikun në bazë të Ligjit Nr. 05/L-088, përkatësisht neni 231 pika e 6 e cila e gjobitë kundërvajtësin me gjobë prej 40 eurove”, ka shtuar tutje ai.

I njëjti ka treguar se kjo gjobë mund të paguhet 50% më lirë nëse paguhet brenda dy jave.

Në rastet kur ndalohen kundërvajtës që janë shtetas të huaj, Policia detyrohet që të shqiptoj një gjobë të njëjtë prej 40 eurove dhe të konfiskoj patën shoferin e vozitësit ose ndonjë dokument tjetër.

Këto dokumente mund të kthehen vetëm kur vozitësi posedon fletëpagesën.

Një rast i njëjti ka ndodhur edhe sot gjatë zhvillimit të planit operativ “Operacioni”.

“Personi është ndalu për arsyen e njëjtë, për përdorim të telefonit, por në momentin që nuk ka patent shofer ose dokument të Kosovës atëherë dokumenti i konfiskohet deri në momentin që e sjellë fletëpagesën mbi pagesën e dënimit”, ka shpjeguar Sadiku.

Ky aksion i Policisë sipas rreshter Hetemi ka shkuar në mënyrë të rregullt.

Ai ka treguar se janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave dhe se nuk ka pasur ankesa nga qytetarët pasi, sipas Hetemit, kundërvajtësit kanë kuptuar se për çfarë janë ndëshkuar.

“Apelojmë tek qytetarët që të ngrisin edhe më tepër vetëdijesimin e tyre e sidomos gjatë ngasjes së automjetit, pjesëmarrjes në komunikacion, qoftë në cilësinë e drejtuesit të  automjeteve por ashtu edhe në cilësinë e këmbësoreve me qëllimin e vetëm ofrimin e kushteve sa më të sigurta për qytetarët tanë”, ka thënë krejt në fund Hetemi.

Ai po ashtu ka treguar se realizimi i këtyre operacioneve, të cilat bëhen në bazë ta analizave që bënë Policia e Kosovës, do të vazhdoj dhe në ditët në vazhdim.