Policia në rajonin e Prizrenit shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba në trafik për vetëm pesë ditë

Drejtoria Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe stacionet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, për pesë ditë ka shqiptuar 1,817 gjoba ndaj shkelësve të rregullave në trafik.

Gjobat u shpërndanë në datat 27.05.2024-31.05.2024 në vazhdën e zbatimit të planit operativ “Siguria në trafikun rrugor” në katër  komuna në rajonin e Prizrenit, ka njoftuar Policia.

Po ashtu, sipas Policisë, në kuadër të këtij plani janë ndërmarrë aktivitete edhe në hetimin e 31 aksidenteve të komunikacionit me dëme materiale, 19 aksidenteve të komunikacionit me të lënduar si dhe kanë shqiptuar masën e ndalimit të drejtimit të mjeteve për 22 ngasës.

“Njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren vazhdojnë të mbajnë pika të shumta të kontrollit të automjeteve me qëllim të prezencës sa më të madhe në terren dhe parandalimit të aksidenteve të komunikacionit rrugor, me theks të veçantë të aksidenteve me fatalitet”- thuhet në njoftim.