Ilustrim

Policia jep detaje për arrestimin e dy personave para se të niste ndeshja Kosova-Izraeli

KALLXO.com raportoi se dy persona janë arrestuar pak para se të niste ndeshja e futbollit mes Kosovës dhe Izraelit, e vlefshme për kualifikimet për kampionatin EURO 2024.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra për Informim e Drejtorisë se Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka thënë se dy personat që janë arrestuar kanë rënë ndesh me rregullat e parapara dhe të njëjtit janë shoqëruar më pas në stacion policor.

Policia nuk ka bërë te ditur saktësisht se për çka u ndaluan dy personat e dyshuar.

“Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, po vazhdon angazhimet sipas planit operacional për mbarëvajtje dhe ofrim të sigurisë lidhur me ndeshjen sportive në mes të Kosovës dhe Izraelit. Gjatë realizimit të detyrave policore mund të konfirmojmë se dy persona meshkuj kosovarë, të cilët kanë rënë në kundërshtim me rregullat e parapara për hyrje në stadium, të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – thuhet në përgjigjen e Policisë.

Policia ka bërë thirrje që të respektohen rregullat e parapara, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive.