Policia: Gruaja që vdiq ndodhej në veturë pranë shtëpisë së saj, nuk ishte pjesë e palëve të përfshira

Një burrë vdiq dje dhe një grua tjetër vdiq sot në QKUK si pasojë e një incidenti me armë zjarri në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima Z.G 48-vjeçare, është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj, nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

“Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast” – thuhet në njoftimin e Policisë më 27.03.2024.

Sipas Policisë, janë në kërkim të dy personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e forcave të rendit.

Të martën, më 26.03.2024 në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë një person mbeti i vrarë e tre të tjerë u plagosën, si pasojë e gjuajtjeve me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, ndërsa njëra nga të plagosurit, një grua, mbeti në gjendje të rëndë të shëndetësore dhe ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).