Policia e Tiranës: Drejtuesi i mjetit ishte nën efektin e lëndëve narkotike

Policia e Tiranës përmes një komunikate për media ka njoftuar se vozitësi që hyri me veturë në sheshin “Skënderbej” duke rrezikuar jetën e qytetarëve është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.

Siç njofton Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, dyshohet se shtetasi A.M. ishte nën efektin e lëndëve narkotike e të njëjtit po ashtu iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kanabis.

Nga verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar.

“Në sallën operative ka ardhur njoftim se në sheshin “Skënderbej”, një drejtues mjeti ishte duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe qytetarë të rastit kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e drejtuesit të mjetit, shtetasit A. M., 32 vjeç, i cili është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme hetimore. Nga verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar dhe dyshohet se drejtuesi i mjetit është nën efektin e lëndëve narkotike”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky drejtues mjeti fillimisht ka përplasur tri automjete në vende të ndryshme duke shkaktuar dëme materiale dhe më pas ka thyer barrierat mbrojtëse dhe ka hyrë në sheshin “Skënderbej” duke rrezikuar seriozisht qytetarët.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

VIDEO: Momenti i hyrjes së rrezikshme të veturës në shesh dhe neutralizimi i të dyshuarit