Policia e Kosovës

Policia e Kosovës përgënjeshtron mediat serbe, i quan spekulime: Dejan Pantiqit i janë siguruar barnat

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar në lidhje me disa publikimeve në mediat serbe se Dejan Pantiq, i arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës nuk po furnizohet me barna.

Sipas Policisë, nga spekulimet e fundit që janë publikuar përmes një video-mesazhit, thuhet se gjoja zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kanë ofruar barnat mjekësore personit të dyshuarit që është arrestuar para disa ditëve, Dejan Pantiq.

Pantiq, i cili ka qenë edhe zyrtar i Policisë, sipas një njoftimi nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka organizuar sulmin në zyrat e Komisionit Komunal në Mitrovicën e Veriut.

“Pantiq akuzohet për kryerje të veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues” – kishte thënë Sveçla.

Në anën tjetër, Policia ka thënë se personi në fjalë është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara.

Sipas Policisë, ndaj të dyshuarit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore.

“I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore. Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar” – thuhet në njoftimin e Policisë.

“Spekulimet e vazhdueshme nga persona të caktuar dhe disa media kryesisht serbe, përfshirë spekulimin e fundit të publikuar përmes video-mesazhit, se gjoja zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kanë ofruar barnat mjekësore personit të dyshuar D.P.” – ka thënë Policia e Kosovës në reagimin e saj.

Policia ka treguar se duke marrë për bazë situatën e krijuar, bllokimin e rrugëve nga grupet kriminale, të cilat, sipas Policisë, vetë po pengojnë qytetarët dhe komunitetin në lëvizjen e lirë, në qasjen dhe shërbimet e nevojshme, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit.

“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës po angazhohet në të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime” – njoftohet në komunikatë.

Kujtojmë që sot është dita e katër që kur grupe të qytetarëve serbë kanë bllokuar rrugët kryesore në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok dhe në këtë mënyrë kanë pamundësuar në tërësi qarkullimin me vetura.

Qytetarët të cilët duhet të dalin jashtë barrikadave duhet të përdorin rrugë alternative duke shfrytëzuar edhe oborret e komshinjve të tyre.

Disa të tjerë, po kalojnë barrikadat në këmbë e më pas po vazhdojnë drejtë Mitrovicës së Veriut.

KALLXO.com edhe sot po qëndron në Mitrovicë të Veriut dhe nga atje ju sjell zhvillimet e fundit.