Policia arreston dy të dyshuar që ishin shpallur në kërkim

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Pejë ka arritur të arrestojë një mashkull dhe një femër, të cilët ishin shpallur në kërkim kohë më parë dhe për të cilët Policia kishte kërkuar bashkëpunim me qytetarët, për arrestimin e tyre.

Mark Coli ishte shpallur në kërkim nga Policia më 11 tetor të vitit 2019. I njëjti dyshohej për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë, mashtrim dhe kanosje’.

Ndërsa Aferdita Colaj, dyshohet për veprën penale ‘Mashtrim’, ishte shpallur në kërkim nga Policia më 2 prill 2021.

Të dyshuarit e lartëcekur, sipas Policisë, janë dërguar në vuajtje të dënimit.

“Rritja e besimit në Policinë e Kosovës, rritja e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë do të qojë në përforcimin e mëtejshëm të Policisë dhe në të njëjtën kohë edhe në rritjen e efikasitetit dhe suksesit në punët policore”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.