Foto: Ilustrim

Polici i dyshuar për bixhoz ilegal del para gjykatës - FOTO

 

Një zyrtar policor me inicialet B. R., është arrestuar dy ditë më parë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale të mashtrimit dhe organizimit të lojërave të fatit.

I njëjti zyrtar policor sot ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake në lidhje me caktimin e masës së sigurisë pasi Prokuroria në Gjilan ka bërë kërkesë për paraburgimin e tij.

Orët e pasdites së të shtunës një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor në Gjilan) është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale mashtrim dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Arrestimi i tij është bërë nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan është realizuar bastisja në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Përpelnicë komuna e Gjilanit, ku në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një telefon, dy kartela të telefonit, një tablet, një kompjuter dhe një USB.

Polici po dyshohet se përmes telefonit po organizonte lojëra fati online dhe në këtë mënyrë po dyshohet edhe se ka kryer veprën penale të mashtrimit.