Ilustrim

Policët në veri të Mitrovicës pengohen në kryerje të detyrës nga një i dehur, i dyshuari shoqërohet në stacion policor

Policia e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët policorë kufitarë gjatë realizimit të detyrave policore në një pikë kontrolli në veri të Mitrovicës janë penguar në kryerje të detyrës nga një person në gjendje të dehur. I dyshuari, sipas procedurave policore, është shoqëruar në stacion policor.

Veprimet ndaj të dyshuarit sipas Policisë do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Sipas njoftimit nuk bëhet fjalë për ndalim dhe maltretim të qytetarëve në veri të Mitrovicës gjatë ushtrimit të detyrave policore.

“Njëkohësisht përmes këtij informacioni zyrtar demanton informatat e ndryshme, të rreme të cilat po qarkullojnë se kinse Policia e Kosovës, në veri të Mitrovicës po ndalon dhe maltreton qytetarët, gjatë ushtrimit të detyrave policore”, thuhet në njoftim.

Policia përmes informacionit zyrtar njofton se të gjitha veprimet e saja policore i ndërmerr bazuar në autorizimet ligjore, në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit dhe se qarkullimi i këtyre informacioneve të pavërteta kanë për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pasigurisë te qytetarët.

“Ju sigurojmë se Policia e Kosovës përmes realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, ka të vetmin qëllim, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe kontrabandës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime”, thuhet mes tjerash në komunikatë.