Pjesa e jashtme e klimës vendoset brenda objektit të Spitalit në Ferizaj - VIDEO

Një pamje e pazakontë është raportuar nga Spitali i Ferizajt. Pajisja e klimatizimit, e cila vendoset jashtë objekteve, është parë e vendosur brenda hapësirës së spitalit në njërin repart.

Një qytetar ka dërguar në adresë të KALLXO.com pamje të pajisjes.

Sipas qytetarit anonim, brenda objektit është temperatura e lartë nga pajisja në fjalë.

KALLXO.com ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, Fikret Arifi i cili thotë se pajisja ka kohë që është e vendosur aty.

Sipas tij, në hapësirën e brendshme të spitalit është i vendosur “Autoklavi” pajisje kjo e cila kryen sterilizimin e manteleve, fashave e pajisjeve të tjera kirurgjike.

Arifi shtoi se kjo pajisje ka nevojë që të ketë hapësirë të ftohtë dhe objekti ua ka pamundësuar që pajisjen e jashtme të klimatizimit ta vendosin jashtë objektit.

“Objekti i Ferizajt është veç i adaptuar. Nuk është spital ai, ajo ka qenë Mjekësi Familjare dhe tërë kohën vetëm është meremetu. Qajo pjesa e ‘Autklavit’ i bie bash në mes të Spitalit, nuk ka shansë këto gypat a çka janë me i qitë jashtë. Ata e kanë qitë me e zbut situatën për një ‘Autoklav’ që është aty e temperaturat e larta që po bëhen brenda aty kanë bërë defekte të shpesha”- deklaroi Arifi.

Ai shtoi se presin një pajisje të re të ‘Autoklavit’ dhe se planifikojnë për ta vendosur në një objekt jashtë spitalit.

“Dje (27.05.2024) e dhamë idenë që me e shpu tavanin dhe me e qitë krejt naltë, punëtorët na thanë që s’munden me dhanë garancion që nuk pikë shiu”- shtoi Arifi.