ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Pesë raste të dhunës në familje raportohen në Polici

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Sipas raportit rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Obiliq, Deçan dhe dy raste në Gjakovë.

Lidhur me to Policia ka arrestuar disa të dyshuar.

Në Prishtinë është arrestuar një burrë nën dyshimet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht një grua.

Sipas Policisë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Në Obiliq, një burrë është arrestuar mbrëmë nën dyshimin se i njëjti ka kryer dhunë në familje ndaj një burri.

“Viktima mashkull kosovar për shkak të lëndimeve ka pranuar tretman mjekësor”- ka njoftuar Policia.

Ndërsa është bërë e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Për dhunë në familje është arrestuar edhe një burrë në Deçan, nën dyshimet që ka sulmuar një grua duke i shkaktuar lëndime.

“Lidhur me rastin viktimës i është ofruar tretmani mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- ka njoftuar Policia.

Edhe në Gjakovë një burrë është arrestuar nën dyshimet për dhunë ndaj një gruaje.

Sipas Policisë, i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në një rast tjetër në Gjakovë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale, është keqtrajtuar psiqikisht nga një burrë i dyshuar i cili gjendet në arrati.

Ngjarja është regjistruar dje rreth orës 20:00.

Ndërsa Policia ka njoftuar se rasti është duke u hetuar.