Pesë policë të Kosovës infektohen me coronavirus

Pesë zyrtarë policorë janë prekur me coronavirus në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

“Po. i kemi pesë zyrtarë policorë të njësive të ndryshme, të cilët janë prekur me coronavirus, fatkeqësisht”, tha Qalaj për KALLXO.com.

Ai shtoi se nga pesë policët e infektuar tre janë nga Mitrovica e Veriut.

“Janë pesë gjithsej. Një ka qenë i konfirmuar më herët, është nga Malisheva, një nga Prishtina dhe tre janë nga veriu”, shtoi Qalaj.

Tutje ai tha edhe se policët e prekur me coronavirus janë duke qëndruar në Qendrën e Studentëve, e cila është kthyer në karantinë me anë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës.

Që nga 13 marsi kur është raportuar rasti i parë, në Kosovë, gjithsej deri sot janë 377 raste të konfirmuara me coronavirus.

Nga këto raste, 63 janë shëruar ndërsa është rritur numri i viktimave në gjithsej 8.