Çerdhja e re në Lipjan, Foto: Komuna e Lipjanit

Përurohet çerdhja e re për 200 fëmijë në Lipjan

Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se kryetari Imri Ahmeti i shoqëruar me bashkëpunëtor sot ka përuruar çerdhen e re në qytetin e Lipjanit.

Ahmeti është shprehur se për të është kënaqësi e veçantë përurimi i një objekti me standarde të larta dhe kushte moderne, i cili sipas tij, do të shërbejë për edukimin e fëmijëve në moshë të hershme.

“Ai ka theksuar se investimi në çerdhe publike, është po aq i rëndësishëm sa investimi në institucione të arsimit të lartë, sepse sa më të vegjël të kyçen fëmijët në institucione arsimore aq më shumë përparojnë dhe përgatiten për rrugën e tyre drejt shkollimit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Përurohet çerdhja e re për 200 fëmijë të Komunës së LipjanitKryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti i shoqëruar me…

Publiée par Komuna e Lipjanit- Faqja Zyrtare sur Mardi 1 septembre 2020

“Ishte edhe zotim i yni që Lipjanit t’i shtohet edhe një çerdhe e re, në mënyrë që gjithë atyre që punojnë të kenë mundësi shtesë për vendosjen e fëmijëve të tyre në këtë institucion publik” është shprehur kryetari i Komunës së Lipjanit.

Ndërkaq komuna tutje ka njoftuar se për shkak të situatës aktuale të ballafaqimit me pandeminë COVID-19, kryetari Ahmeti u bëri apel punëtorëve të çerdhes dhe prindërve që sjellin fëmijët e tyre në këtë çerdhe, të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit.

Në anën tjetër, drejtoresha e çerdhes publike në Lipjan, Biha Azemi tha se me rritjen e numrit të banorëve në qytetin e Lipjanit është shtuar edhe kërkesa për çerdhe publike, si dhe ka falënderuar Komunën e Lipjanit për këtë investim.

Çerdhja e përuruar sot në Lipjan ka kapacitete për pranimin e 200 fëmijëve, por që gjatë kohës së pandemisë do të punojë me kapacitete të reduktuara. Investimi për çerdhen  kap vlerën prej 323,991.89 euro.

I pari i Lipjanit, Imri Ahmeti në “Debat Pernime” më 2017 kishte premtuar katër çerdhe të tjera.

“Një çerdhe është në projektim edhe tash të zhvillohet, një çerdhe do ta ndërtojmë me mjetet buxhetore të komunës, katër tjera do të ndërtohen me partneritet publiko-privat me bazë në komunitet”, kishte deklaruar ai.

Të dhënat tregojnë se Lipjani ka tanimë tri çerdhe publike.