Mbeturinat në lumin e fshatit Shalë në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Shkëlqimi i qytetit afër Prishtinës

17 kilometra afër Prishtinës, skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Shkup, Lipjani ka arritur të shndërrohet në një zonë atraktive ekonomike, duke i sfiduar me mundësi bizneset dhe zhvillimin e kryeqytetit.

Një zonë e madhe ekonomike dhe mundësitë e zhvillimit rreth autostradës në 20 vitet e pasluftës, pothuajse e dyfishuan komunën e cila dikur ishte një qytezë e vogël, e që sot është në boom të zhvillimit me ndërtime të larta dhe hapësira kolektive banimi.

Për banorët e Prishtinës, Lipjani njihet si zona ku mund të kalosh fundjavën në restorante apo pishinat private të komunës, ndërsa për ata që dëshirojnë të bëjnë blerje qendrat tregtare, depot e kompanive dhe fabrikat prodhuese kanë adresën në hyrjet dhe daljet e qytetit të vogël.

Komuna atraktive për një kohë ishte qeverisur nga PDK, ndërsa fushata e para 6 viteve e solli në pushtet Imri Ahmetin e LDK-së.

Në zgjedhjet e fundit, PDK me një kandidat të ri tentoi të rikthejë komunën, por pa sukses. Premtimet e Imri Ahmetit bindën mbi 62% të qytetarëve të Lipjanit se zgjidhjet dhe qeverisja e tij janë të duhurat për komunën. Ahmeti fitoi zgjedhjet pa balotazh për të vazhduar mandatin me problemet e Lipjanit.

Makina e tij mesatarisht çdo ditë i harxhon nga 7 litra naftë e që i bie që kryetari çdo ditë udhëton të paktën nga 100 kilometra, ndërsa telefoni i tij çdo ditë i harxhon nga 2 euro mbushje, e që me koston prej 10 centë për minutë i bie që kryetari flet të paktën 12 minuta në ditë në telefon. 

Në këtë qeverisje qytetit i është shtuar një shesh i ri, stadium modern e shtigje për rekreacion, por me gjithë investimet, qytetarët e kësaj komune ende përballen me probleme esenciale të jetesës.

Pamjet nga Lipjani tregonin qendra të mjekësisë familjare ku qytetarët marrin infuzione në oborr ndërsa banorët jetojnë në zona ku nuk ka trotuare e kanalizim.

Ndër problemet e para që vërehen në Lipjan janë hapësirat e tregut javor që mbahet çdo të hënë në trotuaret e qytetit. 

Përveç qarkullimit, për banorët shqetësues për shëndetin është fakti  që produktet e tregut ekspozohen diellit, pluhurit të rrugës dhe ajrit të ndotur nga lëvizja e veturave.

Komuna e Lipjanit i ka dedikuar një hapësirë tregut të ri, i quajtur “Tregu i gjelbër” që gjendet pak kilometra larg qytetit, por që ende nuk është funksionalizuar.

Sfidat në arsim

Imri Ahmeti kishte përmendur që në Komunën e Lipjanit do niste mësimi gjithëditor, ndërsa ai edhe sot e sheh si dështim mosfillillimin e mësimit në këtë formë. Në një përgjigje për KALLXO.com Ahmeti ka thënë se kjo është ndër dështimet e qeverisjes së tij.

Të dhënat nga terreni tregojnë se ky nuk është i vetmi telash në arsimin e Lipjanit

15 shkolla të komunës nuk kanë dalje emergjente, përderisa 12 të tjera kanë dalje emergjente në rast të ndonjë rreziku brenda ambienteve shkollore.

Në mungesë hapësirash komuna është obliguar të organizojë mësimin në dy ndërrime në shkolla. Të dhënat tregojnë se në 19 shkolla fillore dhe 3 të mesme, mësimi mbahet në dy ndërrime ndërsa vetëm në 5 shkolla fillore mësimi mbahet në një ndërrim. 

I pari i Lipjanit, Imri Ahmeti në “Debat Pernime” më 2017 kishte premtuar edhe katër çerdhe të tjera.

“Një çerdhe është në projektim edhe tash të zhvillohet, një çerdhe do ta ndërtojmë me mjetet buxhetore të komunës, katër tjera do të ndërtohen me partneritet publiko-privat me bazë në komunitet”, kishte deklaruar ai.

Të dhënat tregojnë se çerdhet ende nuk janë ndërtuar pasi Lipjani ka vetëm  dy çerdhe publike, në të cilat janë të regjistruar 117 fëmijë.

Komuna ka bërë të ditur se së shpejti do të përurohen edhe dy çerdhe të tjera, njëra në qytetin e Lipjanit dhe njëra në Gadime.

Shëndetësia – probleme me higjienë në qendra mjekësore

Në kohë të pandemisë së COVID-19, kur kërkohet kujdes i shtuar dhe mbajtje e pastërtisë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan është parë në gjendje jo të mirë.

Mungesa e pastërtisë dhe sapunëve higjienikë janë vërejtur në këtë qendër në maj të këtij viti, ndonëse objekti i saj është renovuar jo shumë kohë më parë.

QKMF në Lipjan, maj 2020, VIDEO: KALLXO.com

Ndërkaq, Komuna e Lipjanit në një përgjigje për KALLXO.com është shprehur se kanë marrë masa në QKMF që nga fillimi i pandemisë.

“Në Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare  në Lipjan janë marrë masa që nga  fillimi në menaxhimin e pandemisë, janë bërë dezinfektime të hapësirave publike dhe rrugëve kryesore të qytetit, është vendosur tuneli dezenfektues pranë QKMF-së, janë vendosur dezinfektues statik në objektet e institucioneve publike,  janë ndihmuar qytetarët me pako të ndryshme ushqimore dhe higjenike gjatë kohës së izolimit etj”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Përveç tjerash, sikurse shumë komuna tjera edhe Lipjani thotë se po përballet me mungesë të mjekëve.

“Edhe Komuna e Lipjanit është prekur nga mungesa e mjekeve në mjekët specialit të lëmive Pediatri, Gjinekologji etj. Komuna disa herë ka shpallur konkurs por nuk ka pasur aplikues të këtyre lëmive”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Megjithëkëtë, Komuna thekson se në çdo QMF dhe AMF janë të caktuar mjekët, dhe se nuk ka shumë probleme për shkak të mungesës së mjekëve vetëm në rastet e pushimeve.

Por një qendër mjekësore (AMF) në fshatin Banullë nuk është në funksion.

Sipas Komunës, objekti nuk i plotëson kushtet dhe nga ana tjetër nga rezultati i Fletë- notimit komunitar që u zhvillua në komunë, vetë qytetarët e Banullës janë deklaruar me vullnetin me marrëe shërbimin në QKMF – Lipjan, për shkak të afërsisë gjeografike dhe kushteve më të mira.

“Pastaj kemi testuar për një kohë nëse ka interesim të marrësve të shërbimeve por ka rezultuar me shumë pak apo aspak të interesuar të marrin shërbimin në këtë institucion. Prandaj nuk e konsiderojmë të domosdoshme vënien në funksion të kësaj AMF”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Lipjani ka një laborator të analizave në QKMF dhe katër të tjerë në QMF-ja.

Sipas Komunës, në QKMF ofrohen shërbime laboratorike hematologjike dhe biokimike, si dhe posedojnë edhe aparatin për HbA1 C për matjen e glikemisë për tre muaj.

Ndërsa, në QMF ofrohen shërbime laboratorike – hematologjike, por sipas tyre në një të ardhme shumë të afërt do të ofrohen edhe analizat biokimike “sepse vetëm i kemi planifikuar dhe shpresojmë shumë shpejt në realizimin e tyre”.

Në QKMF-në e Lipjanit ofrohen edhe shërbime stomatologjike, me dy ndërrime.

Ndërkaq, sipas Komunës, në QMF është nga një stomatolog me një ndërrim, atë  të paraditës.

Ndërkaq, numri i mjekëve stomatologë është 10. Numri i pacientëve të trajtuar në vitin 2018 është 9,055, më 2019 është  9,402 dhe më 2020 është 3,472.

Sipas përgjigjes së Komunës, në Lipjan gjenden rreth 13 ordinanca private të stomatologjisë me mbi 20 stomatologë.

Menaxhimi me pandeminë e COVID-19

Komuna e Lipjanit në fillim të pandemisë së COVID-19 ka krijuar shtabin emergjent të cilin e ka udhëhëhequr kryetari i Komunës, Imri Ahmeti.

Komuna ka theksuar se ka marrë një sërë veprimesh konform udhëzimeve që kanë dalë nga institucionet qendrore dhe rekomandimet e IKSHP-së.

Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se i ka dhënë katër  vetura zyrtare në shfrytëzim stacionit policor në Lipjan për të menaxhuar situatën e krijuar nga COVID-19.

“Në bashkëpunim me organizata të ndryshme ka ndihmuar nxënësit me pajisje të teknologjike (Kompjuter, laptop, ipad, tablet) për përcjelljen e mësimeve online. Me qëllim të përkrhajes së fëmijeve pa asnjërin prind në këtë kohë të pandamisë Kryetari Ahmeti ka ndarë nga 300 euro për secilin fëmijë dhe një familje strehuese”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Në kuadër të QKMF është krijuar një hapësirë e veçantë për trajtimin e rasteve me COVID-19 në Komunën e Lipjanit si dhe është ndarë një autoambulancë për bartjen e këtyre pacientëve.

Po ashtu, me qëllim të krijimit të lehtësirave financiare për shkak të pandemisë që ka rezultuar me pezullimin e shumë veprimtarive punuese, Komuna e Lipjanit thekson se ka marrë vendim për lirimin nga pagesa e taksave dhe qerasë komunale.

“Si dhe ka organizuar një fushatë senzibilizuese per respektimin e rekomandimeve të IKSHP-së ku janë vendosur poster dhe njoftime me mesazhe vedisuese në parandalimin e Covid -19 në hyrje të institucioneve publike dhe vendet më të frekuentuara në qytetin e Lipjanit”.

Që nga fillimi i pandemisë, Komuna ka njoftuar se ka nënshkruar disa kontrata për menaxhimin e situatës, siç janë për dezinsektimin, deratizimin dhe dezinfektimin e  hapësirave të brendshme, të objektit të Komunës, zyreve të vendit, shkollave, çerdhes së fëmijëve, QKMF-së (QMF-ve dhe AMF-ve), ndërtesa kolektive në Magurë, shtëpisë së komuniteteve, QPS-së dhe xhamitë e komunës së Lipjanit.

Ata tutje thuhet se kanë bërë furnizimin me artikuj ushqimorë  dhe material  higjienik, furnizim me miell gruri, furnizim me kabinë për dezinfektim dhe mirëmbajtje të saj për 3 muaj, furnizim me ndihma për familjet në nevojë dhe nevojave tjera për menaxhimin e situatës emergjente në tri llote: Furnizimi me artikuj ushqimorë  dhe material  higjenik, furnizimi me miell gruri, furnizimi me pajisje mbrojtëse ndaj COVID-19

Ndërkaq sipas tyre, në procedurë të prokurimit është edhe furnizimi me ndihma për familjet në nevojë dhe nevojave tjera për menaxhimin e situatës emergjente nga pandemia e COVID-19; Furnizimi me artikuj ushqimorë  dhe material  higjenik.

Por, në korrik të këtij viti, në ambulantën e fshatit Shalë të Lipjanit pacientët po mjekoheshin në oborr. Ata merrnin infuzion të ulur në karrige në oborrin e qendrës mjekësore.

Përkundër premtimeve, lipjanasit përballen me mungesë të infrastrukturës

Premtim shumëvjeçar i kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetit, është hapja e rrugës së re për lidhjen e fshatrave Lluga e komunës së Lipjanit me fshatin Radevë të komunës së Graçanicës.

Këtë premtim Ahmeti fillimisht e kishte dhënë para se të merrte mandatin e parë në këtë komunë, në zgjedhjet e vitit 2013.

“Ndër projektet kryesore që do të doja të theksoja me këtë rast, është përmbyllja  e ndërtimit të asfaltimit në të gjitha fshatrat. Hapja e rrugëvë të reja, siç është …Lluga- Radevë”, kishte premtuar Ahmeti në zgjedhjet lokale 2013 në Emisionin Jeta në Kosovë.

Por ky projekt tash e 7 vite nuk është realizuar.

Fillimisht, në shkurt të vitit 2017, kjo rrugë ishte përfshirë në ndarjen e 3 milionë eurove për investime nga Ministria e Infrastrukturës në atë kohë.

“Ministria e Infrastrukturës po ashtu do të financojë edhe projektet si ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës nga udhëkryqi i Banullës deri te hyrja e Lipjanit, ndërtimi rrugës “Sadik Shala”, në Lipjan, ndërtimi i rrugës Lluga –Radevë”, thuhej në një njoftim të Komunës në atë kohë.

Iniciativa e fundit e Komunës së Lipjanit për hapjen e kësaj rrugë të re është në maj të këtij viti.

Kryetari Imri Ahmeti më 22 maj  bashkë me ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka nënshkruar memorandum për financimin e projekteve në komunën e Lipjanit, ku përfshihet edhe rruga Lluga- Radev në vlerë 400 mijë euro.

Në komunën e Lipjanit, qytetarët përballen edhe me rrezikun nga qentë endacakë, mungesën e ujit dhe të trotuarit.

Mahmut Olluri është banor i rrugës “Ganimete Tërbeshi” në Lipjan.

Ai tregon për KALLXO.com se në lagjen e tij përballen me mungesë të ujit të pijshëm, të trotuarit dhe me rrezik nga qentë endacakë.

Mungesa e trotuarit në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Lipjan, Foto: KALLXO.com

“Problemet me të cilat ballafaqohemi janë qentë endacakë. Një tjetër çështje me rëndësi është trotuari, mungesa e tij si dhe kemi mungesë të ujit të pijshëm. Gjatë ditës në këtë lagje shumë pak ka ujë, nuk ka shtypje, as nuk është i pijshëm, duhet të marrim tjetërkund ose blejmë”, thotë ai.

Mahmut Olluri, banor i rrugës “Ganimete Tërbeshi” në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Mungesë të ujit të pijshëm kanë edhe banorët e fshatit Shalë të Lipjanit.

Naser Hoxha nga ky fshat thotë për KALLXO.com se Shala ka probleme të shumta, duke shtuar se kanë nevojë që QMF-ja të punojë edhe gjatë natës.

“Probleme fshati Shalë i ka të shumta. Së pari, Ambulanta punon vetëm tetë orë, fshati është bukur i madh, ka qenë mirë më punu 24 orë. Sepse prej fshatit me shku në Lipjan  i ka afër 26 kilometra. Kemi probleme edhe mungesë të ujit dhe me kanalizim. Më shumë se gjysma e fshatit nuk kanë ujë”, u shpreh Hoxha.

Naser Hoxha, banor i fshatit Shalë të Komunës së Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Kurse, të dhënat e komunës të siguruara nga KALLXO.com, tregojnë se në fshatin Shalë përfshirja në ujësjellës është 75 për qind dhe në kanalizim 100 për qind.

Në anën  tjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit, më 2017 në “Debat Pernime”, kishte premtuar trotuare dhe ndriçim publik për çdo rrugë kryesore të fshatrave.

 “Unë siguroj që të gjitha rrugët kryesore, jo rrugët sekondare dhe lagjet. Por çdo rrugë kryesore e çdo fshati do të ketër trotuar dhe ndriçim publik dhe të gjitha rrugët që janë në pronësi komunale do të asfaltohen në periudhën e ardhshme katërvjeçare. Brenda dy vitesh do të përmbyll investimet në asfaltimin e gjithë rrugicave që janë në pronësi publike përkatësisht komunale”, ishte shprehur Ahmeti.

Ai ishte zotuar edhe për rregullim të rrjetit për ujëra të zeza “qind për qind”.

Sipas përgjigjes së Komunës, nga 57 vendbanime 49 kanë të instaluar rrjetin e kanalizimit.

“Pra 79% në të gjitha vendbanimet kemi pastrimin primar, pastrim mekanik (gropa septike), pastaj shkarkimi në lumenj/prrocka, në shumicën e vendbanime kemi realizuar kolektor grumbullues”, thuhet në përgjigje.

Sa i përket ujit, Komuna thekson se nga 57 vendbanime 32 kanë të instaluar rrjetin e ujësjellësit, ndërsa nga viti 2017 thonë se realizuar projektin për ujësjellës për 7 vendbanime ndërsa janë në realizim e sipër të ujësjellësit edhe për 9 vendbanime të tjera.

Puseta e shkatërruar në qytetin e Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti në një përgjigje për KALLXO.com është shprehur se një prej dështimeve gjatë qeverisjes së tij është edhe asfaltimi i rrugës “Sadik Shala” deri në rrugën rajonale Prishtinë-Ferizaj.

Për problemet me infrastrukturën rrugore në Lipjan është raportuar edhe më herët në KALLXO.com.

Rruga Lipjan-Magurë ishte një prej telasheve me të cilën përballeshin qytetarët, ndërsa ajo së fundi ka arritur të rregullohet, pas ankesave të shumta.

Mjedisi, reagimi emergjent komunal dhe planet rregulluese urbane

Në Komunën e Lipjanit gjenden 10 deponi ilegale të mbeturinave.

Komuna ka bërë të ditur se për vitin 2019 ka të identifikuar 146 deponi ilegale, ndërsa me realizimin e kontratës për eliminim të deponive ilegale, janë eliminuar  gjithsej 136 deponi.

Kurse, nga 57 vendbanime grumbullimi i mbeturinave, sipas Komunës bëhet në 51 vendbanime.

“Në disa vendbanime që figurojnë në listë si vendbanime nuk jeton asnjë familje si në: Okosnic, Shisherk, Vogoqic, Hanroc, ndërsa në Plitoviq vetëm një familje, në Bukovic vetëm një familje dhe në Tërbovc vetëm dy familje”, thuhet në përgjigje.

KALLXO.com ka parë nga afër mbeturinat nëpër disa pjesë të komunës së Lipjanit.

 

Mbeturinat në lumin e fshatit Shalë në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Kur jemi të mjedisi i pastër, KALLXO.com ka raportuar Komuna e Lipjanit gjatë pesë muajve të parë të vitit 2019 kishte mbjellë vetëm 10 drurë dekorativë dhe 500 copë lule sezonale.

Së fundi, prerja e një druri të vjetër në qendër të Lipjanit ka nxitur reagime të ashpra ndaj Komunës.

Më 14 gusht, Komuna doli me sqarim për prerjen e drurit “Shelne”, i cili gjendej në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, apo në zonën që ndryshe njihet në qytet “Te cigaret”. Sipas Komunës, prerja e drurit është bërë më 9 gusht, për disa arsye.

Komuna ka theksuar se natën e 8 gushtit degë të thara të këtij druri kanë rënë në trotuar dhe si pasojë kanë rrezikuar jetën e kalimtarëve.

“…Pasi që ishte vonë dhe nuk kishte dukshmëri të mjaftueshme për intervenim jemi dakorduar që të nesërmen konkretisht më 09.08.2020 të njoftohen organet kompetente dhe të merret mendim nga profesionist të fushës së bujqësisë. Në të njëjtën ditë është dhënë rekomandim nga ekspertë të fushës që të bëhet krasitja e tij, të largohen degët e thara”, theksoi Komuna.

Tutje sipas tyre, gjatë këtij procesi është vërtetuar se druri ishte tharë në rrënjë dhe me këtë rast ka pësuar çarje, ku Inspektorati në bashkëpunim me Policinë, Zjarrfikësit si dhe Organin mbikëqyrës të hapësirave publike kanë marrë vendim për prerjen e tij.

“Konstatuam së më i rëndësishëm është jeta e qytetarëve tanë, se një bimë e cila do të zëvendësohet me një tjetër edhe më të re. Dezinformimi i qytetarëve se është bërë për qëllime dhe veprime të caktuara është akt qyqar dhe i papranueshëm”, thuhet në reagimin e Komunës.

Në anën tjetër, asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Lipjanit, Albulena Kelmendi e ka quajtur skandaloz veprimin e komunës.

“Se jeta e qytetarëve është ‘i rëndësishëm’ kjo dihet. Mirëpo, janë problemet tjera elementare që e bëjnë të rëndësishme jetën, si për shembull uji që mungon në pjesën më të madhe të komunës së Lipjanit. Është gjendja e rëndë ekonomike e sociale, të cilat ky ekzekutiv nuk i ka përmirësuar e lehtësuar. Është pandemia Covid 19”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, druri i vjetër e shumë drurë tjerë që i rrëzoi Komuna, janë bartës historish e sfidash të banorëve të Lipjanit.

“Prandaj, nëse paska pasur studim e analizë kaq të stërholluar për të ardhë tek konkluzioni se druri duhet prerë, le të na paraqitet publikisht dokumenti dhe ekspertiza zyrtare e këtij vendimi. Përndryshe, reagimet sqaruese të këtij lloji janë po aq skandaloze sa edhe prerja e drurëve të vjetër të qytetit”, thuhet në reagimin e Kelmendit.

Prerja e drurit të vjetër në qytetin e Lipjanit, gusht 2020 – Foto: Komuna e Lipjanit

Ndërkaq, sa i përket pastrimit të rrugëve, Komuna ka bërë të ditur se ka të kontraktuar pastrimin dhe mirëmbajtjen gjatë sezonit të verës dhe dimrit  për rrugët urbane, që pastrohen dhe mirëmbahen rregullisht gjithsej 27 rrugë urbane me gjatësi L=28km.

Kurse, në rast të krizave dhe katastrofave natyrore, Komuna thotë se ka plan  të reagimit emergjent (evakuimit), si dhe ky plan përfshin edhe tri plane tjera: plani për mbrojtjen nga zjarri, plani për mbrojtjen e epidemive nga shpezët dhe kafshët dhe plani për mbrojtjen gjatë vërshimeve.

Ndërsa testi i reagimit emergjent në Komunë është bërë dy vite me parë dhe pritet që nga pjesa e dytë e vitit 2020 të bëhet prapë pas harmonizimit me ligjet ne fuqi dhe me nivelin qendror.

Rruga në afërsi të rrethrrotullit të Magurës në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Lidhur me rrezikun prej vërshimeve dhe katastrofave natyrore, në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna ka theksuar se fshatrat të cilat  kanë qenë të  rrezikuara nga vërshimet, Komuna e Lipjanit ka intervenuar në hapje të lumenjve dhe rregullim të shtretërve, dhe  konsiderojnë se nuk ka pika që rrezikohen nga vërshimet.

Rrugë të shenjëzuara me shenjëzim vertikal dhe horizontal dhe shenjëzim elektronik  Lipjani i ka 38 rrugë, ku përfshihet zona urbane dhe pjesët e rëndësi të veçanta në rrugët rurale.

Megjithkëtë, disa rrugë të kësaj komune paraqesin rrezik për shkak të aksidenteve të shpeshta në trafik.

Rrugët të cilat janë me rrezikshmëri për aksidente sipas komunës janë: Rruga Lipjan-Hallaq i Madh- Kraishtë- Ribar i Madh – Poturovc, udhëkryqi i Banullës, udhëkryqi që lidh rrugën regjionale “Ibrahim Rugova” me rrugën “Haxhi Kleçka”, Shtime –Prishtinë nuk ka dukshmëri të mjaftueshme.

Gjithashtu në këtë rrezik hynë edhe rrugët në Gadime të Ulët, Gadime e Epërme rrugë që lidhë me rrugë regjionale, pasi sipas Komunës nuk është e planifikuar me standarde për qarkullimin të kësaj kategorie.

Komuna e Lipjanit thekson se ka të hartuar Planin Zhvillimor Komunal dhe Planin Zhvillimor Urban  të miratuar me Vendimin e Kuvendit të Komunës 15Nr.12514 dt.23.08.2013.

“Plani Zhvillimor Komunal për tere territorin e Komunës së Lipjanit 100%. Plani Zhvillimor Urban ( 992.8ha)  2.93%, plan rregullues për Qendrën e Qytetit i miratuar me Vendimin e Kuvendit te Komunës  1Nr.350-521 dt.01.06.2009, plan rregullues  ( 30 ha)  0.08%”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, 90% e territorit të komunës nuk ka plane rregulluese dhe PZHU.

Sa i përket hartës zonale,  Komuna e Lipjanit ka hartuar “Draft Planin e HZK dhe draft Raportin e VSM  të HZK  i cili është dërguar në ministrinë kompetente për shqyrtimin e ligjshmërisë dhe të drejtën për fillimin e procesit të shqyrtimit publik”.

Ndërsa, mosrealizimi i Ngrohtores së qytetit cilësohet të jetë një prej dështimeve nga vetë kryetari Ahmeti në një përgjigje për KALLXO.com.

Lejet ndërtimore

Që nga janari i vitit 2018, Komuna ka bërë të ditur se është rrënuar vetëm një ndërtim pa leje, ndërsa rrënime tjera në zonën e ndërtimit-zonën urbane janë 10 rrënime  me leje për rrënim.

Komuna tutje ka bërë të ditur se ka pasur ndërtime të reja në ato vende ku është bërë rrënimi i objekteve, dhe janë evidentuara gjashtë ndërtime të reja, të cilat janë pajisur me leje ndërtimi.

“Komuna bazuar në Ligjin për Ndërtimi Nr. 04/L-110 është kompetente për lëshimin e Lejeve ndërtimore për kategorinë  I  dhe II të ndërtimeve. Afati për trajtimin e kërkesave për Leje ndërtimi për kategorinë e I-rë është 30 ditë, ndërsa për Kategorinë II-të është 45 ditë, varësisht nga procesi – plotësimi i dokumentacionit afati mund të zgjatet sipas LPA”, thuhet në përgjigje.

Sa i përket ndërrimit të destinacionit të tokës, Komuna thotë se ndërrimi i destinimit të tokës procedohet gjatë procesit të lëshimit të lejes ndërtimore, kryesisht në zonat e planifikuara për ndërtim të cilat ne dokumente kadastra le evidentohen si toka bujqësore si dhe vendimeve të MBPZHR  sipas kategorive.

Për  ndërrim destinimi të tokës për periudhën 2018-2020 janë lëshuar  gjithsej 75 konkluzione.

Barazia gjinore, Komuna me vetëm tri drejtoresha

Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti më 2017 në “Debat Pernime” e ka pasur të vështirë të përcaktojë në numër se në sa drejtori do të emërojë gra në udhëheqje.

Ai ishte shprehur se do të kenë përfaqësim të grave në një masë të konsiderueshme.

Por dy vjet më pas, nga 13 drejtori në Komunën e Lipjanit, vetëm 3 udhëhiqen nga gratë.

“Është vështirë me përcaktu numerikisht sepse për neve është me rëndësi cilësia dhe aftësia në menaxhim, përmbushja e objektivave dhe synimeve të cilat i shfaqim, jo vetëm gjinia. Jam shumë i bindur që do të kemi përfaqësim të gjnisë në një masë të konsiderushme. Numerikisht nuk mund ta specifikoj”, ishte shprehur Ameti më 2017-n.

Sheshi “Adem Jashari” në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Ndërkaq, më 27 dhjetor 2019, sipas një njoftimi të Komunës në ueb-faqe, kryetari Imri Ahmeti ka emëruar tri drejtoresha të reja në Komunën e Lipjanit: Anila Reçica-Llugiqi – drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport; Merita Bytyqi – drejtoreshë për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale si dhe Elmaze Behluli – drejtoreshë e Arsimit.

Sipas një përgjigje të Komunës, përqindja e grave  të punësuara  në administratën komunale të Lipjanit  është 32.24 për qind, si dhe përqindja  e grave në pozita udhëheqëse në administratën komunale të Lipjanit është  15.14 për qind.

Pronësia e përbashkët

Gjatë vitit 2018 në Komunën e Lipjanit janë regjistruar 210 raste në emër të dy bashkëshortëve prej tyre 145 në emër të grave dhe 65 në bashkëpronësi.

Kurse, gjatë vitit 2019 janë të regjistruar 103 prona në emër të dy bashkëshortëve prej tyre në emër të grave janë të regjistruara 66 prona.

Ndërsa në gjashtëmujorin e vitit 2020 janë në bashkëpronësi 24 prona prej tyre 11 në emër të grave, bën të ditur Komuna.

Ndërsa, numri i personave me nevoja të veçanta që janë punësuar në administratën komunale të Lipjanit janë dy burra dhe një grua.

Sporti dhe kultura, komuna me stadium modern

Komuna e Lipjanit në dy tri vitet e fundit ka rritur përkrahjen financiare për kulturë, rini dhe sport.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se projektet që i konsideron më të suksesshmet në mandatin e tij deri më tani janë: ndërtimi i stadiumit të qytetit, sheshi “Adem Jashari” në Lipjan,  ndërtimi i dy tregjeve dhe shtigjeve të biçikletave dhe të ecjes si dhe ndërtimi i palestrës sportive dhe objektit të Komunës.

Stadiumi i qytetit të Lipjanit, Foto: Komuna e Lipjanit/ Facebook

Sipas të dhënave të siguruar nga KALLXO.com, buxheti që ka ndarë komuna për Kulturë, Rini dhe Sport  në vitin 2018 ka qenë 70 mijë euro, për vitin 2019 – 70 mijë euro, kurse për vitin 2020 janë ndarë  75 mijë euro.

Kurse, specfikisht klubit të futbollit “Ulpiana” në vitin 2018 i janë ndarë 8 mijë euro, në vitin 2019 i janë ndarë 13 mijë e 100 euro dhe në vitin 2020 i janë ndarë 6 mijë e 550 euro.

Ndërkaq klubit të volejbollit për vajza që mban të njëjtin emër “Ulpiana” në vitin 2018 i janë ndarë 3 mijë euro, në vitin 2019 i janë ndarë 3 mijë e 100 euro dhe në vitin 2020 i janë ndarë 1 mijë e 550 euro.

Klubit të volejbollit “Ulpiana” për djem në vitin 2018 i janë ndarë 3 mijë euro, në vitin 2019 i janë ndarë 3 mijë e 100 euro dhe në vitin 2020 i janë ndarë 1 mijë e 550 euro.

Sipas të dhënave të Komunës, klubit të volejbollit “Shpella” në vitin 2018 i janë ndarë 3 mijë euro, në vitin 2019 i janë ndarë 3 mijë e 100 euro dhe në vitin 2020 i janë ndarë 1 mijë e 550 euro.

Shpenzimet e Komunës për karburante, dreka, darka dhe telefona

KALLXO.com ka siguruar shpenzimet e Komunës dhe të kryetarit që nga viti 2018 deri në muajt e parë të 2020.

Në vitin 2018, për të gjitha veturat e Komunës janë harxhuar 17,619.09 euro karburante, në vitin 2019 – 18,239.28 euro dhe deri në prill – 2020, 5,396.01 euro.

Deri në prill të vitit 2020 Komuna ka pasur në shfrytëzim 19 vetura zyrtare, kurse në vitin 2018 – 22.

Kurse, për dreka e darka komuna në vitin 2018 ka shpenzuar 317.81 euro, më 2019 – 856.00 euro dhe më 2020 – 445.00 euro

Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, ka pasur më shumë shpenzime të karburanteve me veturën e tij.

Në vitin 2018, ai ka shpenzuar  1,442.15 euro për karburant, ndërkaq në vitin 2019 ka harxhuar 2,433.89 euro.

Kurse, nënkryetari i Komunës, Fauz Xhemajli, i cili vjen nga radhët e AKR-së, në vitin 2018 dhe 2019 ka shpenzuar 2.202,96 euro.

KALLXO.com ka siguruar edhe të dhënat për shpenzimet e kryetarit për telefon.

Në vitin 2018, kryetari ka shpenzuar 625 euro, më 2019 – 647.42 euro dhe më 2020 – 258.74 euro.

Ndërsa sa i përket shpenzimeve për telefon nga drejtorët me vendim të kryetarit Komuna ka bërë të ditur se 13 drejtorët komunalë kanë nga 20 euro mbushje për një muaj, ndërsa dy nënkryetarët nga 30 euro mbushje telefoni në muaj.

Komuna thotë se nuk u ka blerë lap-topë asamblistëve të Kuvendit Komunal të Lipjanit në fillim të mandatit të fundit.

Komuna e Lipjanit gjatë tri viteve të fundit ka përfitur edhe donacione për projekte të ndryshme, edhe me bashkëfinancim.

Disa prej tyre janë marrëveshje për përkrahje dimërore për 60 përfitues me kushte të rënda ekonomike, me “Qatar Charity” në vlerë prej 24 mijë euro, Montimi i 35 serave dhe hapja 48 bunarëve për ujë të pijes me vlerë 105 mijë e 940 euro, ndërtimi i 12 shtëpive me financim nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me vlerë 120 mijë euro.

Komuna ka ndërtuar edhe rrugë të arave në Grackë të Vogël, projekt për të cilin nga ana e GLV-AgroLipjan janë dhënë 4,165.41 euro, ndërkaq nga Komuna 833.09 euro. Vlera totale ka qenë 4,998.50 euro.

Ndërsa për vitin 2020 Komuna ka disa marrëveshje të nënshkruara.

Investimet në bujqësi

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, e ka mbajtur fjalën për dhënien e subvencioneve në bujqësi për fermerë, deri në këtë gjysmë-mandat të tij.

“Subvencionimin me mekanizëm bujqësor për sektorë të ndryshëm, për çdo vit 35-40 fermerë dhe bujq të ndryshëm do të subencionohen”, kishte premtuar ai në vitin 2017 në Debat Pernime.

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com tregojnë se në vitin 2018, Komuna e Lipjanit ka ndarë serra për 140 fermerë, si dhe 54 multikultivatorë.

Ndërkaq në vitin 2019, 55 qytetarë kanë përfituar arka për bletë, si dhe 133 janë subvencionuar me serra dhe 82 të tjerë me motokultivatorë.

Ndërsa sa i përket subvencioneve për vitin 2020 janë procedura të vlerësimit, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Në vitin 2018 Komuna i ka ndarë 130 mijë euro për subvencione, më 2019 – 130 mijë euro po ashtu dhe në vitin 2020 – 110 mijë euro. 

Sa i përket qeverisjes së brendshme, Komuna e Lipjanit e ka zbatuar obligimin ligjor për funksionalizimin e Komitetit të Auditimit. 

Komuna thotë se i ka zbatuar rekomandimet e Auditorit të Brendshëm, por Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se kjo Komunë, në vitin 2017 dhe 2016, ka qenë e dobët zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Auditori i Brendshëm.

KALLXO.com ka raportuar për këto shkelje nga ana e Komunës, e që janë evidentuar nga Auditori.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).