Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përplasje mes Arben Vitisë e Përparim Ramës për financuesit e fushatës së tyre

Kandidatët për kryetar të Prishtinës, janë përplasur sërish në Debat Përnime, kësaj radhe në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia tha se i ka të sigurta informacionet që Ramës po ia financojnë fushatën “ndërtuesit që e kanë degraduar Prishtinën ndër vite”.

“Nga informatat që qarkullojnë në qytet dhe që është e sigurtë, financuesit kryesor edhe të fushatës suaj janë financuesit, ndërtuesit të cilët e kanë degraduar komunën e Prishtinës për të gjitha këto vite”, i tha Vitia, Ramës.

 

Kurse kundërkandidati nga LDK-ja, Përparim Rama tha se financuesi kryesor i fushatës është ai vetë.

“Me gjithë respektin z. Vitia, financuesi kryesor i fushatës sime jam unë vet, pra nuk më vyen askush ta financoj fushatën time”, tha Rama.

Sonte në “Debat Përnime” po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit për kryetar të Prishtinës.
Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prishtinë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LVV-së, Arben Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Përparim Rama nga LDK ka siguruar 29.2%.