Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Përleshja në Kuvend, ky është reagimi i presidentes Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës me përleshjen e deputetëve është dëmi më i madh që mund t’i bëhet këtij institucioni.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë” – ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.

Sipas Osmanit, në Kuvend duhet të përfaqësohen interesat e qytetarëve dhe jo dhuna.

“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”- ka shkruar tutje ajo.

“Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”- ka theksuar ajo.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike.

E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprim, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bisilimi, në mbrojtje të së cilit erdhi ministri i Financave Hekuran Murati.

Lushtaku shihet duke e shtyrë fizikisht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj shihet duke goditur fizikisht ministrin Murati.