Përleshen mes vete për pyllin që nuk është pronë e asnjërës palë, arrestohen dy të dyshuar

Katër persona patën një konflikt me njëri tjetrin para dy ditëve në Prizren lidhur me një pronë që nuk është e asnjërës palë.

Nga konflikti, siç njofton Policia e Kosovës u lënduan dy persona nga mjete të forta, një sëpatë dhe një kmesë.

Siç njoftohet, konflikti kishte filluar për gjoja vjedhje të pyllit, e madje njëri nga katër personat e përfshirë në rast u tha se kishte një armë zjarri me vete, e cila nuk ishte përdorur.

E gjitha ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 8 tetor 2022, rreth orës 13:00, kur stacioni policor Prizren-Veri kishte pranuar një ankesë.

“Më datë 8 tetor 2022 rreth orës 13:00, Stacioni Policor Prizren – Veri ka marr ankesën se në fshatin Velezhë, katër persona nga dy familje kanë një konflikt për gjoja vjedhjen e pyllit, që nuk është pronë e asnjërës palë”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje u tha se dy nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Arma e zjarrit, e cila nuk u përdor, një karikator, 5 fishekë, sëpata dhe kmesa, sipas njoftimit, janë sekuestruar në vendin e ngjarjes nga ana e Policisë.

Ndërsa, Policia tha se kundër të dyshuarve është hapur rast për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll të paautorizuar të armës”.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, në konsultim me prokurorin dy të dyshuar janë ndaluar në mbajtje policore për 48 orë.