Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i dëshmitarit: U kërcënova nga i akuzuari pasi anulova konkursin në të cilin konkurroi gruaja e tij

Në gjykimin e kryesuesit të drejtorëve të ndërmarrjes “Trafiku Urban”, Ruhan Beha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sot ka dëshmuar Lulzim Rexhepaj, kryeshef i ndërmarrjes në kohën kur pretendohet se ka ndodhur vepra penale.

Në Gjykatën e Prishtinës Rexhepaj ka rrëfyer për format kërcënuese të përdorura nga i akuzuari kundër tij për shkak të mospunësimit në ndërmarrje të bashkëshortes të të akuzuarit.

Lulzim Rexhepaj si kryeshef ekzekutiv në “Trafikun Urban”  në periudhën kohore 2019-2020 para Gjykatës rrëfeu mënyrën se si kishte filluar i gjithë ky problem.

Sipas dëshmitarit, problemi zanafillën e kishte në kohën kur ndërmarrja kishte hapur konkurs të rregullt për punësim të zyrtarit të teknologjisë informative. Por, më pas e kishte mbyllur këtë konkurs.

Rexhepaj tha se konkursin e kishte mbyllur pasi që kishte kuptuar që kandidate ishte edhe bashkëshortja e Behës.

“E mua, zonja gjyqtare, më shkoi mendja qe zotëri Ruhani nga pozita e kryesuesit të bordit kur e merr punën, komisioni mundet me pasë ndikim dhe të përzgjidhet gruaja e tij. Paraprakisht kjo ishte arsyeja që e kam anuluar konkursin” – tha dëshmitari.

E pas këtij veprimi, sipas tij, kishin filluar edhe kërcënimet nga Ruhan Beha, që të hapte konkursin.

“Nga Ruhan Beha kam pranuar mesazhe kërcënuese si: “Vij i thej zyret edhe ju kthej prapë në shkollë etj.” – tha ai.

I pyetur nga prokurori se a ka pasur kërkesë nga i pandehuri që të hapet konkursi, dëshmitari e pohoi këtë.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Flakron Sylejmani, e pyeti dëshmitarin se duke parë që nuk ka konkurrencë të mirëfilltë a mendonte se ka vepruar drejt në rastin e anulimit të këtij konkursi dhe a janë zbatuar të gjitha rregullat.

“Po, me njohuritë e mia mendoj që kam vepruar drejt”- deklaroi dëshmitari.

Ndërsa, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, e pyeti dëshmitarin se a frikësohej se do të largojë nga puna Beha apo ka presion që ta punësojë gruan e të pandehurit.

“Me prishjen e raporteve me Ruhan Behën unë e kuptova që po kërcënohem të largohem nga puna, ndërsa kërkesat e tij kanë qenë indirekte për t’ia punësuar gruan” – tha për fund dëshmitari.

Në seancën e cila pritet të mbahet me 7 dhjetor pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.

Prokuroria e Prishtinës e akuzon Ruhan Behën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Beha akuzohet se gjatë vitit 2019 në cilësinë e kryesuesit të drejtorëve të ndërmarrjes “Trafiku Urban” në Prishtinë në vazhdimësi ka kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje Lulzim Rexhepaj që të punësojë bashkëshorten e tij, e cila në këtë ndërmarrje ishte praktikante.

Ai akuzohet se këto kërkesa i ka bërë në mënyrë verbale si dhe përmes mesazheve në “Whatsapp”.

Dosja e Prokurorisë thotë se Beha fillimisht ka kërkuar dhe kanosur Lulzim Rexhepajn për hapjen e konkursit për zyrtar të IT-së e pas shpalljes së këtij konkursi kërkoi punësimin e bashkëshortes së tij.

Në aktakuzë thuhet se këtë konkurs Lulzim Rexhepaj e kishte anuluar dhe për shkak të kësaj Ruhan Beha kishte filluar procedurën e shkarkimit të Rexhepajt si dhe e kishte kërcënuar se do ta rrahë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.