FOTO/ Naim Krasniqi - KALLXO

Përfundimi i Fakultetit të Bujqësisë, po konsiderohet kriter diskriminues për përfitimin e granteve nga fermerët

Për të qenë përfitues i granteve, fermeri në Kosovë duhet të ketë të kryer edhe Fakultetin e Bujqësisë.

Këtë e kishte treguar Ministri i Bujqësisë, Faton Peci më 25 nëntor 2021 në emisionin “Context” në ATV.

Ai kishte thënë se ky kriter është vendosur pasi në Komunën e Skenderajt është drejtimi i bujqësisë në shkollën e mesme teknike, dhe se sipas tij shumë prej nxënësve shkojnë në fakultetin me drejtim të njëjtë.

“Në rast se analizojmë se ku kanë shkuar grantet, pjesa dërrmuese kanë shkuar atje, p.sh. në rast se kanë qenë 25 milionë euro për krejt Kosovën atëherë ka dalë se 7 ose 8 milionë kanë shkuar në Skenderaj dhe Istog”, kishte thënë Peci.

KALLXO.com ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural numrin e përfituesve dhe vlerën totale për Komunën e Skenderajt dhe Istogut gjatë periudhës 2014-2017.

Nga të dhënat që ka dërguar Ministria figuron se në Skenderaj gjatë këtyre viteve janë 144 përfitues me 5,764, 393.61 milionë euro grante. Ndërsa në Komunën e Istogut sipas të dhënave del se 114 persona kanë përfituar nga 4,446,036.50 milionë euro grante.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka pyetur Ministrinë se sa pikë përfitohen nga ky kriter në rast se plotësohet.

Nga ministria thonë se nga gjithsej 100 pikë ky kriter posedon vetëm 3 pikë.

“Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021-2027 është duke u hartuar dhe ende nuk ka përfunduar si proces. Rëndësi e veçantë do iu kushtohet kritereve, të cilat do jenë të bazuara në objektivat që kanë për qëllim zhvillimin e sektorit dhe ngritjen e kapaciteteve duke mos diskriminuar asnjë aplikues si dhe duke garantuar gjithëpërfshirje e barazi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri.

Tahiri tha se ky kriter i penalizon ata që e punojnë me të vërtetë tokën dhe që janë fermerë të vërtetë.

“Ata fermerë të cilët e kanë kryer fakultetin e bujqësisë rrallë ndonjë prej tyre merret me bujqësi përderisa ai mundet të punësohet diku nëpër institucione apo në ndonjë organizatë që ka rroga më të mira dhe ka përfitime më të mëdha”, tha Tahiri.

Ai u shpreh se si federatë për shumë kritere nuk janë pajtuar në Ministrinë e Bujqësisë pasi sipas tij kanë qenë diskriminuese dhe të orientuara që të përfitojnë një pjesë e militantëve partiakë.

Ndërsa vetëm në periudhën 2020-2021 për Komunën e Skenderajt vlera e ndarë në këtë kategori është 785,835.26 €.

KALLXO.com ka kërkuar nga Ministria edhe rregulloren ku përmendet ky kriter por të njëjtit kanë përsëritur se programi për bujqësi ende është në procedurë të hartimit.