Dallimet në poentimin e kandidatëve për bord të OShP-së mes britanikëve dhe komisionit vendor
Në emisionin “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar debati në lidhje me krizën në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord që nga marsi i vitit 2021 ndërsa ende Kuvendi i Kosovës nuk ka pranuar emrat e kandidatëve për anëtarë të këtij bordi.
KALLXO.com ka raportuar për dallimet në poentimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së në mes tre gjyqtarëve vendorë dhe përfaqësueseve të Ambasadës britanike që kanë marrë pjesë në vlerësim.
Asnjë grua nuk është rekomanduar për të qenë pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.
Ndërkaq, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, njëra prej kandidateve të emërueshme, ishte më e poentuara nga ekspertët britanikë në mesin e 20 kandidatëve të intervistuar. Prej britanikëve për anëtare të bordit është rekomanduar edhe kandidatja Shqipe Hoti.
Gordon Rayan nga kompania e rekrutimit (BDO) në “Kallxo Përnime” ka thënë se Vjosa Gardinaj Mexhuani është vlerësuar nga ta si kandidatja me një përvojë të lartë menaxheriale dhe se ka mundësi për të kontribuar në OShP.
Ndërkaq Rayan ka thënë se për dallimin në poentim duhet të pyetet komisioni vendor.
“Gjatë vlerësimit për Vjosa Gradinaj Mexhuani ne pamë dikë që kishte shumë përvojë dhe ne konsideruam që kishte dhe përvojë të lartë si menaxhere dhe mund të kontribuojë në OShP. Mendoj se duhet të pyesni komisioni se pse ka ndodhur dallimi në poentim”, tha ai.
Ai ka shtuar se në përbërje të bordit është shumë e rëndësishme që të ketë barazi gjinore.
Eman Rrahmani, deputet i Lëvizjës Vetëvendosje, e quajti shqetësuese dallimin në vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së ndërmjet tre gjyqtarëve vendorë dhe britanikëve.
“Ne si Komision për Buxhet ende nuk kemi pranuar zyrtarisht lista nga vendorët. Është jo në rregull sepse unë kanë pasur përvojë që të jem bashkë me britanikët në komisione dhe të ketë një dalim të tillë është jonormale. Duhet të shohim arsyeshmërinë se pse bëhet ky ndryshim në mes të dy listave. Është shqetësuese ky poentim”, tha Rrahmani.
Diana Metushi Krasniqi hulumtuese nga KDI tha se një dallim i tillë në poentim është shqetësuese dhe se mospërzgjedhja e asnjë gruaje nga komisioni vendor shkel Ligjin për barazi dhe kuotë gjinore.
“Është listë mjaft e dhimbshme pasi që ne e kemi një ligj për barazi gjinore dhe e definon edhe kuotën se sa duhet të jenë. Në këtë rast kemi dy gra që janë vlerësuar. Duhet të bëhet një takim, një sqarim pse ka kaq dallim. Shqetësuese është që një gjykatëse nuk e ka votu gjininë e saj. Kjo listë duhet të sqarohet”, tha Metushi Krasniqi.
KALLXO.com ka ftuar edhe gjyqtarët e komisionit vendor në emision por të njëjtit nuk kanë pranuar ftesën.