Foto: Screenshot, RTK

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB: E këshillojmë Gërvallën të mos filozofojë dhe të mos bëjë analiza gjeopolitike

Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vasily Alekseyevich Nebenzya, në fillim të fjalimit të tij i është kundërpërgjigjur deklaratës së ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se Serbia në orientimin rus është bërë kërcënimi i dytë më i rrezikshëm i sigurisë për Evropën.

Nebenzya i ka thënë Gërvallës të mos filozofojë dhe të mos bëjë analiza gjeopolitike të situatës.

“E këshillojmë zonjën Gërvalla që të mos përpiqet të filozofojë dhe të bëjë përpjekje të bëjë analiza gjeopolitike të situatës. Nuk ishte ndonjë përpjekje e suksesshme, do ishte më mirë të koncentrohemi te situata në Kosovë, në vend që të humbim vëmendjen e Këshillit me mendimet e juaja apo situatën e përgjithshme, apo politikën e jashtme të Serbisë pasi siç duket çdo gjë po bëhet me ndihmën e Moskës, siç po thuhet, faleminderit që na keni dhënë kaq shumë të drejtë”- ka deklaruar ai.

Ai tutje ka thënë se Kosova vazhdon të kërcënojë stabilitetin dhe paqen në rajon.

“Kosova mbetet vatër e krimeve të tilla dhe vazhdon ta kërcënojë stabilitetin dhe paqen në rajon, qoftë në situatën e sigurisë që po përkeqësohet më tutje” -ka thënë ai.

Në vazhdim të fjalimit të tij, përfaqësuesi i Rusisë ka thënë se procesi i shkeljes sistematike të drejtave të popullatës serbe në Kosovë ka filluar në vitin 1999.

“Për disa vite kemi qenë dëshmitarë të një spastrimi etnik të vazhdueshëm. Pas 20 e ca vitesh numri i serbëve në jug të Ibrit është zvogëluar vazhdimisht dhe në asnjë mënyrë nuk mund të mbrojnë të drejtat e tyre. Para konfliktit kanë qenë diku rreth 40 mijë serbë dhe sot nuk ka më shumë se 100. I vetmi rajon ku serbët janë shumicë janë në veri”-ka thënë Nebenzya.

Në fund të fjalimit, ai ka përsëritur qëndrimin rus karshi Kosovës.

“Qëndrimi rus ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar, ne avokojmë për arritjen e një marrëveshje të pranuar në mënyrë të ndërsjellë në bazë të rezolutës 1244” – ka shtuar ai.