Foto: Pixabay

Gjykata vendos për rastin e kompanisë 'Coca-Cola' ndaj 'Plus Market'

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për caktim të masës së sigurisë nga kompania ‘Coca Cola’ me seli në Atlanta Georgia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj ‘Plus Market’ me seli në Ferizaj.

Kompania ‘ Coca Cola’ mes të tjerash kishte kërkuar që ‘të urdhërohet Dogana e Kosovës që të konfiskojë dhe të shkatërrojë të gjitha produktet COCA-COLA, FANTA dhe SPRITE, që tentojnë të futen apo që ndodhen kundërligjshëm në territorin e Kosovës pa autorizim/pëlqim të paditësit dhe bartësit të së drejtës së markës tregtare, “The Coca Cola Company’.

Kjo kompani kishte kërkuar që të konfiskohen dhe largohen nga tregu i Kosovës të gjithë produktet, COCA-COLA, FANTA dhe SPRITE të importuara pa autorizim tregtar dhe pa autorizim të bartësit të së drejtës së markës.

Sipas arsyetimit të aktvendimit, pas dëgjimit të palëve në procedurë, gjykata ka ardhë në përfundim se nuk është arritur niveli i besueshmërisë tek ta dhe se nuk ka arritur të vërtetojë nëse ekziston apo jo e drejta subjektive e propozuesit që të ndalojë kundërshtarin e sigurimit nga ushtrimi i veprimtarisë tregtare përmes importimit paralel të mallrave origjinale.

“Kundërshtari i sigurimit ka importuar nga vendet e treta për në Republikën e Kosovës produkte – pije me emërtimin Coca Cola, Fanta dhe Sprite, për të cilat pretendon se janë produkte origjinale të prodhuara nga propozuesi i sigurimit apo me pëlqimin e tij. Propozuesi i sigurimit nuk e ka kontestuar origjinalitetin e produkteve të importuara dhe ka mbajtur qëndrimin se kundërshtari i sigurimit ashtu si edhe çdo biznes tjetër në Kosovë, nuk ka të drejtë që të importoj produkte nga vendet e treta të cilat bartin markën tregtare të tij, pavarësisht se produktet në fjalë a janë origjinale apo jo”, thuhet në aktvendim.

KALLXO.com ka kontaktuar me Agron Selimaj, avokatin/përfaqësuesin e kompanisë ‘Coca-Cola’ në Kosovë por i njëjti ka thënë se nuk i komentojnë vendimet gjyqësore.

Ndërsa, Musa Limani, avokat/përfaqësues i ‘Plus Market’ tha se një vendim i tillë është i mirëpritur ndërsa tha se pala paditëse e ka apeluar këtë vendim.

“Ju ka refuzuar propozimi i ‘Coca Cola’ mirëpo ka shku me ankesë në Apel. Gjykata vendos konform ligjeve të BE-së, pra bazë MSA-së dhe direktivave të BE-së. Sipas ligjeve të BE-së lejohet importi i mallit origjinal prej cilit do shtet”, tha ai për KALLXO.com

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar në mars vendimin e Gjykatës së Prishtinës sipas të cilit i ishte ndaluar kompanisë ‘Frutin Company’ të importonte pijet “Coca-Cola”, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’, pa marrë autorizimin përkatës dhe deri në një vendimin përfundimtar. Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës së Apelit, që e mban datën 22 janar 2022, urdhërohet që Inspektorati për mbikëqyrjen e tregut të konfiskojë dhe të largojë nga tregu i Kosovës të gjitha produktet e ‘Coca-Cola Company’, të cilat janë importuar nga kompania ‘Frutin’.

Po ashtu, edhe Dogana e Kosovës, sipas vendimit, është urdhëruar që të ndalojë, konfiskojë dhe të mos i lirojë për qarkullim në treg të gjitha produktet e ‘Coca-Cola Company’, të importuara nga ‘Frutin Company’.

Gjykata ia ndalon një kompanie në Kosovë të importojë pijet ‘Coca-Cola’, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’ pa autorizim