Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë, opozita kritikon kryeministrin për 'kauza të pa qëndrueshme'

Dy subjektet opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes shefave të grupeve parlamentare kanë reaguar ndaj përfaqësimit të kryeministrit Albin Kurti në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel me shenjën e fusnotës.

Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së tha se kryeministri Kurti po vazhdon të veproj krejt ndryshe nga ato që i ka thënë.

“Sa i përket qeverisë dhe përfaqësimit të Kurtit në Bruksel, ne nuk kemi parë asgjë të re vetëm se zoti Kurti në vazhdimësi ka vepruar dhe po vazhdon të veproj krejt ndryshe prej asaj për çka e ka fitu mandatin nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Tahiri ka përmendur kohën kur është vendosur për fusnotën dhe për reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit të tanishëm Albin Kurti, atëhërë opozitar.

“Në kohën kur është dakordu dhe vendos për fusnotën kemi parë reagim të ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga kryeministri i tanishëm Albin Kurti ndërsa paraprakisht para përfaqësimit të Kosovës në këtë konferencë të Stabilizim-Asociimit, nuk kemi parë që zoti Kurti e ka ngritë si shqetësim këtë çështje që do të duhej me diskutu paraprakisht me autoritetet në Bruksel në mënyrë që Kosova të përfaqësohet pa fusnotë. Si duket zoti Kurti nuk ka pas as kurajo as mundin me ngritë këtë çështje dhe e ka marr si të mirëqenë dhe ka vazhduar siç kanë vazhduar gjithë kryeministrat e tjerë”, tha ai.

Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se Kurti ka ardhur në pushtet me kauza të pa qëndrueshme.

“Problemi qëndron që ky kryeministër gjithçka që ka qesh e ka vesh. Ju e dini deklaratat e tij çka ka thënë për këtë fusnotë dhe tash del po me atë fusnotë. Ne i dimë rrethanat politike qysh ka ndodh i dimë edhe rrethanat e tanishme. Problemi është që ky ka ardh në pushtet me kauza të pa qëndrueshme”, tha Tahiri.

Ai shtoi se Kurtit nuk mund t’ia zgjasim gishtin për fusnotën sepse nuk e ka bërë ai, por e ka kritikuar dhe nuk ka lënë gjë pa thënë për ata që kanë marr pjesë në përfaqësime me fusnotë.

“Ne e dimë qysh u bo kjo, nuk ka ndodh në kohën e Kurtit nuk mundemi me ja zgjat gishtin Kurtit për fusnotën se nuk e ka bo Albin Kurti, e ka bo një qeveri tjetër se ka bo as Aleanca, por çka ka bo zoti Kurti s’ka lan gjë të zezë pa thënë për secilin prej njerëzve që ka marr pjesë”, tha Tahiri.

Ai e ka përmendur edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke shtuar se pozicionet politike duhet të jenë të qarta shtet-formuese dhe nuk duhet të jenë elektorale.

“Ajo që është dashtë të thuhet në Bruksel është se Kosova të gjitha gradacionet që i ka marr për komunitetin jo shumicë serb i ka realizuar përmes pakos së Ahtisarit. Në kushtetutën tonë ekziston e drejta për themelimin e asociacioneve. Ndërsa çfarëdo tendence që përmes këtij institucioni kësaj OJQ-je të synohet një intervenim që të merr ky institucion përgjegjësi dhe kompetenca që i nuk i takojnë, është e pakalueshme nuk do të merr mbështetje të shumicës shqiptare dhe do të dëmtoj të arriturat e Kosovës, BE e ShBA tash e 20 vjet”, tha ai.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme kryeministri Albin Kurti së bashku me një pjesë të madhe të kabinetit qeveritar ka duke qëndruar në vizitë zyrtare në Bruksel.

Në këtë takim, Kosova është përfaqësuar me fusnotë.

Pas shumë kryeministrave, edhe Kurtit i erdhi radha ta përfaqësojë Kosovën me fusnotë