Përballja mes Xhafer Gashit dhe Halil Thaçit se në kohë fushate po shtrohet asfalt në Obiliq
Kandidatët për kryetar të Obiliqit, të cilët do të përballen në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë replikuar mes vete lidhur me ndarjen e subvencioneve dhe shtrimin e asfaltit në kohë fushate.
Teksa premtoi mijëra euro për subvencione, Thaçi tha se nëse vijnë në pushtet nuk do t’i shpërndajnë ato në kohë fushate “sikurse qeverisja aktuale”.
Madje ai e quajti “të pandershme” që këto punë të kryhen në prag të zgjedhjeve.
“Nese ne qeverisim, si të fillon fushata, ne do t’i ndalim subvencionet, e jo siç tha z. Gashi se dje ose sot janë nda subvencionet për nënat vetushqyese e që nuk ka kuptim që në kohë fushate me përdorë një gjë të tillë. Ka mundësi z. Gashi që po e përdorë gjithë makinerinë e Komunës në vazhdimësi po shtron rrugë. Mirë është që qytetarët po i gëzojnë ato. por është e pandershme me dhanë subvencione, me fillu pa një plan paraprak siç po ndodh këtë muaj”, u shpreh Thaçi në emisionin “Debat Përnime”.
Lidhur me këtë, Gashi u kundërpërgjigj duke thënë se nëse i ndalin subvencionet kur bëhet shpallja e zgjedhjeve do të kishin një suficit shumë të lartë.
“Ne nuk mund t’i ndërpresim projektet sepse viti i planifikimit buxhetor bëhet një vit më herët. Të gjitha veprimet bëhen në bazë të planifikimit. Nëse ne i ndalim projektet dhe subvencionimet në kohën kur shpallen zgjedhjet, Komuna do ta kishte një suficit marramendës, dhe pse mos me gëzu të drejtën qytetarët atë rrugë apo atë subvencion që është planifikuar një vit më herët”, tha kandidati Gashi.
Thaçi shpalosi disa fotografi për të cilat pretendoi se janë rrugë të asfaltuara në fshatin Sibovc në vitin 2018 dhe që tash sipas tij janë në gjendje jo të mirë.
Kurse, Gashi replikoi duke thënë se rruga është e asfaltuar në vitin 2012 gjithashtu e sfidoi që të shkojnë ta vizitojnë së bashku këtë rrugë.
Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Obiliqit diskutuan në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.
Të ftuar në emision ishin kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Obiliq: Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i IQO për kryetar të Obiliqit, Xhafer Gashi, në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 975 vota apo 48,12 për qind. Kurse kandidati i LVV-së, Halil Thaçi ka siguruar 2 mijë e 507 vota apo 20,19 për qind.