Kryesuesi i Bordit të KOSTT: Jemi duke zbatuar rekomandimet e marra nga gjetjet e ZKA-së

Kryesuesi i Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, ka thënë se kjo ndërmarrje është duke zbatuar rekomandimet e marra nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike po shqyrton Raportin e Auditimit të Performancës “Projektet kapitale të KOSTT-it”, në të cilën po merrë pjesë edhe vetë Bordi i KOSTT.

Deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, radhiti disa prej gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në mënyrën se si KOSTT menaxhoi me buxhetin dhe kontratat.

“Auditimi ka përfshirë prokurimim e deri tek rezultate ku thuhet se zbatimi nuk është bërë në mënyrë efektive. Disa projekte me rëndësi më lartë nuk janë realizuar dhe për pasojë mund të ketë jostabilitet në furnizim me energji” – ka thënë Thaçi në mbledhjen e Komisionit.

“Projektet në vlerë prej 27.4 milionë euro nuk janë realizuar ende, edhe pse janë cilësuar me prioritet. KOSTT nuk ka bërë hulumtim të mirë të tregut. Për investimet kapitale KOSTT ka qenë në gjendje të mbajë sistemin stabil, por ka mungesë të inspektimit të pajisjeve që mund të rezultojë më defekte”.

Sipas tij, KOSTT e ka ndërtuar një nënstacion në Drenas, edhe pse sipas tij, nga renditja ishte më e ulët se sa disa nënstacione të tjera. Thaçi ka thënë se KOSTT nuk ka arritur të realizojë planin e prokurimit për periudhën 2017-2021.

Kurse kryesuesja e Komisionit dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se gjetjet e ZKA-së janë shqetësuese dhe për këtë Komisioni ka kërkuar informata se a janë marrë parasysh rekomandimet e Auditorit.

Në anën tjetër, Jeton Mehmeti kryesues i Bordit të KOSTT-it, ka thënë se është hartuar një plan veprimi për zbatim të rekomandimeve që dalin nga raporti i ZKA. Ai ka thënë se mungesa e Bordit për një periudhë ka ndikuar në miratim të planeve të biznesit.

“Tek prioritizimi i projekteve, është se të gjitha aktivitet e prokurimit duhet të nisin në bazë të prioriteteve dhe do zbatohet rekomandimi. Tek projektet e reja, KOSTT ka kujdes për projektet emergjente në mënyrë që ZRRE të njoftohet me kohë” – ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, KOSTT-i ka zhvilluar modul për projektet të cilat përcillen që nga fillimi.

“Tek prokurimi jo i mirë, këtu kemi një rekomandim po ashtu, kemi planifikuar që të bëjmë analizë të saktë të nevojave të tregut me aplikim të një standardi. Tek mungesa e projektve ekzekutive, KOSTT do zhvillojë projekte infrastrukturore dhe kemi dilema për shkak të natyrës së funskionimit, në realizim të projekteve si nënstacionet energjetike, është më sfidues, por kemi marr parasysh rekomandimin” – ka thënë ai para Komisionit.