Foto: VOA

Për 8 muaj pandemi, Kosova i shtoi vetëm 230 respiratorë

Në javën e dytë të marsit në Kosovë u shfaq rasti i parë me COVID-19.

Që nga atëherë e deri më tash, në Kosovë janë infektuar rreth 30 mijë persona dhe kanë vdekur 833.

Në kohën kur u shfaq ky sëmundja, në institucionet shëndetësore ishin vetëm 95 respiratorë, ndërsa 8 muaj pas, kur secila ditë ka qenë pothuajse më e vështirë në përballimin e saj, në Kosovë janë shtuar vetëm 230 respiratorë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në intervistën përballë Jeta Xharrës e ka konfirmuar se momentalisht Kosova ka 325 respiratorë, dhe disa prej tyre nuk kanë hyrë fare në përdorim.

“Tash i kemi 325 respiratorë. Për momentin, me kapacitet humane çfarë i kemi, janë të mjaftueshëm. Disa prej respiratorëve nuk janë vënë në përdorim. Nuk janë të gjithë në funksion, sepse nuk ka pasur nevojë”, tha tutje Zemaj.

Respiratorët përdorën për të asistuar me frymëmarrje artificiale te pacientët që janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe të paaftë për frymëmarrje natyrale.