Foto: KALLXO,com

Pëlcet rregullatori i bombolës së oksigjenit në Spitalin e Ferizajt

Në Spitalin Rajonal të Ferizajt ka pëlcitur rregullatori i bombolës së oksigjenit, i cili zvogëlon presionin e oksigjenit.

Rasti ka ndodhur rreth orës 1:00 pas mesnatës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Spitalit, Jeton Zeqiri.

“Në ora 1:00 pas mesnate një rregullator i oksigjenit ka pëlcitur. Të lënduar nuk ka. Një familjar i një paciente ka menduar që duhet me ia lëshu më shumë rregullatorin dhe pastaj ka pëlcitë (rregullatori). Shkaku i pëlcitjes është puna e pandërprerë e bombolave. Jemi duke i trajtuar diku 33 pacienta me oksigjeno- terapi dhe rregullatori ka punu shumë”, tha drejtori.

Zeqiri gjithashtu theksoi se shpesh kanë probleme me sistemin e oksigjenit, por kjo, sipas tij, nuk është diçka shqetësuese.

“Sistemi bjen shpesh për shkak të presionit, për shembull kur t’i kemi gjashtë pacientë (me oksigjeno-terapi) ato kërkojnë shumë oksigjen dhe na bjen shpesh (prej sistemit) dhe ne e rregullojmë, nuk është diçka shqetësuese, pacienti nuk vuan asgjë në këtë aspekt”, tregoi tutje ai.

Drejtori tha se 41 pacientë të infektuar me COVID-19 janë duke marrë tretman mjekësorë ,tre prej tyre janë në gjendje të rëndë,  dy janë duke u asistuar me maskën CPAP ndërsa 33 të tjerë janë me oksigjeno – terapi.

Probleme me bombolë të gazit pati edhe në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku për pasojë  pacientes iu shkaktua djegie në dorë dhe krah.