Prishtinë: Si u dogj nga maska e oksigjenit pacientja e infektuar me Coronavirus?

Të martën në mbrëmje në Klinikën e Pulmologjisë ku po trajtohen pacientët me COVID-19 ka ndodhur një incident në një nga bombolat e oksigjenit.

KALLXO.com ka kontaktuar mjekun që ishte kujdestaratë natë, i cili shpjegoi  më detajisht rastin në fjalë.

Pulmologu, Flamur Marku tha se nuk ka pëlcitur bombola e oksigjenit, por pjesa e maskës e cila vendoset në pjesën e gojës.

“Nuk ka pëlcitë bombola. Ajo (pacientja)e ka ble një bombolë të vogël për nevoja personale me shku në toalet. Oksigjeni tek maska që vendoset në gojë jo tek bombola, aty ka filluar zjarri dhe pacientja fatmirësisht ka qenë në moshë të re dhe e e ka largu menjëherë”, tregon ai.

Tutje ai theksoi se po të shkaktohej pëlcitja e bombolës dëmet do të ishin shumë të mëdha.

“Ka pas lëndime në fytyrë është e vërtetë, edhe në duar kur e ka largu maskën e oksigjenit por nuk ka pas pëlcitje të bocës së oksigjenit fatmirësisht sepse me pëlcit boca e oksigjenit është shumë e madhe”, rrëfen mjeku.

Pulmologu theksoi se një rast i tillë ka ndodhur edhe ditë më parë.

Marku tha se zjarri i ka shkaktuar djegie pacientes në pjesën e fytyrës dhe duarve, por e njejta është kontrolluar nga kirurgu plastik dhe gjendja e saj është stabile.

Pacientja është duke u trajtuar për COVID-19 tash e 13 ditë në Pulmologji.

Përveç Pulmologjisë pacientë me coronavirus janë duke trajtuar edhe te Klinika Infektive, Mjekësia Sportive dhe ajo e Neurologjisë.

KALLXO.com ka kërkuar nga Policia e Kosovës raport për këtë rast por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Pëlcitja e bombolës në Pulmologji, flet mjeku kujdestar