Pejë, dy pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

Spitali Rajonal i Pejës është duke trajtuar 17 pacientë me coronavirus, prej tyre tetë janë duke u asistuar me oksigjeno-terapi ndërsa dy janë në gjendje të rëndë.

Nga raporti ditor i Spitalit bëhet e ditur se gjatë 24 orëve tre pacientë kanë rezultuar të shëruar nga COVID-19.

IKShPK dje ka njoftuar se në Komunën e Pejës janë regjistruar edhe tetë raste me coronavirus.

Komuna me më së shumti raste të infektimit me COVID-19 aktualisht është Prishtina, e cila vetëm dje ka regjistruar 17 raste pozitive me SARS-CoV-2.

15 mijë e 270 persona janë infektuar me SARS-CoV-2 në nivel vendi, prej tyre 12 mijë e 900 janë shëruar ndërsa 616 të tjerë kanë vdekur.

Instituti tutje ka bërë të ditur se 62 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në nivel vendi ndërsa 85 të tjerë janë shëruar.