Foto: Ilustrim

Pejë, arrestohet një person për grabitje të armatosur

Policia e Kosovës e ka vënë në pranga një person nën dyshimin për grabitje me armë në qytetin e Pejës.

Sipas kpolicisë, në rrugën “Bill Klinton” në Pejë, në një lokal i dyshuari nën kërcënimin e armës i ka kërkuar viktimës të hollat nga pazari, duke i marrë 375 euro për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.

Hetuesit rajonalë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin V. B., i lindur më 1979.

“Me datën 10 dhjetor 2019, me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë, është kryer kontroll-bastisje dhe është arrestuar i dyshuari i lartcekur”, thuhet në komunikatën e policisë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.