Gjykata Themelore e Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Pejë, arrest shtëpiak për të dyshuarin se tentoi të kontrabandojë të miturin për në Gjermani

Gjykata e Pejës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj një personi nën dyshimin se ka tentuar të kontrabandojë një të mitur.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikatë të lëshuar nga Gjykata e Pejës.

I pandehuri është arrestuar jashtë shtetit sipas urdhërarrestit ndërkombëtar të Gjykatës  në Pejë, pastaj i njëjti është ekstraduar në shtetin e Kosovës dhe është sjellë para gjykatës.

Sipas Gjykatës në muajin maj të vitit 2018 në Serbi, i pandehuri është marrë vesh me prindin e viktimës së mitur, që këtë fundit ta dërgojë në Gjermani në rrugë ilegale.

Këto veprime janë bërë që i pandehuri të marrë një shumë të të hollave.

Sipas Prokuroris, i pandehuri me viktimën në mënyrë të kundërligjshme kanë kaluar kufirin, duke u pajisur me  dokument të rremë identifikimi e pastaj kanë tentuar të kalojnë kufirin për në shtet të BE-së por janë ndaluar nga Policia në pikën kufitare.

Gjykata ka konsideruar që janë plotësuar kushtet që atij t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.