Abelard Tahiri, Foto: PDK

PDK reagon pas raportimeve të mediave sllovene për ambasadorin Berishaj

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pas raportimeve të mediave sllovene nën dyshimin se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

“Kompania Gen, sipas raportimeve të deritanishme i ka paguar ambasadorit tonë rreth 600 mijë euro. Po ashtu, gjatë periudhës së fundit dyvjeçare, kur në KEK është vendosur një menaxhment i ri nga Qeveria Kurti 1 dhe ka vazhduar me Qeverinë Kurti 2, kanë bashkëpunuar me këtë kompani. Dega e kompanisë Gen në Serbi i ka shitur Republikës së kosovës energji elektrike dhe ka blerë energji elektrike nga Republika e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Tutje, kryetari i Grupit të PDK-së ka përmendur edhe formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

“Ne sot e shohim arsyen e vërtetë të bllokimit të formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për të hetuar çdo transaksion të shpenzimit të taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi. Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Për këto ka reaguar ambasadori Berishaj dhe ka bërë të ditur se do të dorëzojë padi ndaj medias sllovene “Planet Tv”.

Reagon ambasadori Berishaj pas raportimit të medias sllovene