PDK paralajmëron inicimin e kërkesave për krijimin e dy komisioneve të reja hetimore
Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të iniciojë themelimin e dy komisioneve të reja hetimore-parlamentare: njërin për tekstet shkollore dhe tjetrin për kontratat njëburimore.
Kështu ka paralajmëruar kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur me 12.02.2024.
“Do t’i iniciojmë edhe dy komisione hetimore tjera. Njëri është për tekste shkollore, meqë Ministria e Arsimit ende vazhdon të paguaj libra për nxënësit. Është një proces i degraduar dhe dyshojmë që i ka tejkaluar shifrat e parashikuara për librat”- ka thënë ai.
Kurse, inicimi i kërkesës tjetër, sipas Tahirit, mbështetet në dyshimet për korrupsion nëpërmjet kontratave njëburimore.
“PDK ka përmbledhur në masë të madhe kontrata njëburimore, të negociuara në tavolinë dhe do të kërkojmë një komision hetimor ti hetoj ato. Kontratat njëburimore janë burim i korrupsionit në Kosovë. Ne i kemi marrë vetëm 2022 dhe 2023 dhe mund të ju dhëmb se gjatë krejt qeverive nuk ka pas kontrata një burimore më shumë se gjatë këtyre dy viteve të kësaj qeveri”- tha ai.
Tahiri ka kërkuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje që të reflektoj lidhur me votimin e këtyre komisioneve.
Ai ka tha se është e habitshme se si LVV -ja ka refuzuar votimin e komisionit hetimor për rastin Dehari.
Komisioni hetimor parlamentar lidhur me zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit, nuk është themeluar në mungesë të kuorumit për votim gjatë seancës plenare të mbajtur me 08.02.2024, njëjtë siç nuk është themeluar as komisioni parlamentar që do të hetonte “nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës ts anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.