PDK: Ne nuk e bojkotojmë Kuvendin, por Vjosa Osmanin

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas lajmeve se ky subjekt është duke bojkotuar Kuvendin e Kosovës që nga data 3 shkurt, datë kjo kur Vjosa Osmani u zgjodh kryeparlamentare.

“Vjosa Osmani edhe sot gënjeu publikisht para gazetarëve se PDK po e bojkoton Kuvendin nga data 3 shkurt kur u votua Qeveria. Kjo nuk është e vërtetë. As që do të ketë bojkot, siç do ajo”, thuhet në komunikatën për media të PDK-së.

Sipas PDK-së, ky bojkot është pikërisht për kryeparlamentaren Osmani si dhe veprimet e saj, të cilat partia opozitare i konsideron ‘manipulime’.

“Bojkoti është për të dhe manipulimet e saja për të mekanizuar për lojëra të veta politike, institucionin më të lartë të vendit. Të gjithë qytetarët e kanë ndjekur seancën më 3 shkurt dhe deputetët e PDK-së ishin aty, madje të gjithë kanë diskutuar në atë seancë”, tha ajo.

Sipas tyre seanca e 3 shkurtit ishte ‘klandestine’ dhe deputetët janë njoftuar vetëm 5 minuta para fillimit.

“Ndërsa, deputetët e PDK-së nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në seancën tjetër të asaj dite për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, sepse ajo ishte seancë klandestine. Deputetët e PDK-së janë njoftuar vetëm 5 minuta para asaj “seance”, thuhet tutje aty.

Sipas tyre ajo seancë ka qenë pikërisht për përjashtimin e opozitës dhe zgjedhjes së kryeparlamentares nga votat e Listës Serbe.

“Qëllimi i qartë i kësaj loje të rrezikshme ishte frika nga ballafaqimi me transparencën e shkarkimit të një kryetari Parlamenti dhe zgjedhja e një kryetari të ri si znj. Osmani, në rrethana më të paqarta politike dhe flirtim të rrezikshëm politik me Beogradin, përkatësisht Listën Serbe”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas PDK-së atë natë ndodhi një precedent i rrezikshëm.

“Koalicioni me Beogradin dhe Listën Serbe i padeklaruar, do të mbajë të gjallë këtë qeveri dhe këtë pseudokryetare Kuvendi, e cila me çdo kusht synon të nxjerr jashtë Kuvendit udhëheqësin e opozitës”, thuhet tutje.

Krejt në fund, partia më e madhe opozitare në vend ka kërkuar që fotoja e presidentit Hashim Thaçi të kthehet prapë në vendin që ka qenë.

“PDK si lidere e opozitës nuk do të merret me znj. Osmani por me oponentët tanë politikë. Por, ajo duhet ta kuptojë se do të bojkotohet derisa të ndalojë shkeljet ligjore në institucionin e Kuvendit”, theksohet aty.

Partia opozitare edhe sot ka bojkotuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Javën e kaluar kur ishte mbledhja e Kryesisë, PDK pati deklaruar se nuk do të marrin pjesë në mbledhje të Kryesisë deri sa fotografia e presidentit, Hashim Thaçi të kthehet në vendin që ka qëndruar dikur.

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, me të ardhur në krye te Kuvendit ka zhvendosur fotografinë e presidentit Thaçi.