PDK-ja akuzon qeverisjen në Lipjan për diskriminim në masën shtesë për punëtorët shëndetësor

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Lipjan, ka akuzuar drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë qytet se ka përfituar nga masa shtesë e qeverisë prej 300 euro për punëtorët shëndetësor që janë të ekspozuar direkt ndaj rrezikut nga COVID-19.

Por drejtori i QKMF-së Agim Krasniqi i ka mohuar këto pretendime.

“Jo, absolutisht nuk është e vërtetë, jo unë po as administrata, përveç atyre që janë të përfshirë me COVID, qysh janë bërë rekomandimet, zyrtarja për personel që e ka përgatit listën, ajo është përgjegjëse”, tha ai për KALLXO.com.

Dega e PDK-së në Lipjan ka deklaruar se qeverisja lokale e LDK-së po vazhdon ta diskriminojë edhe një pjesë të stafit shëndetësor, pasi sipas tyre mamitë nuk janë përfshirë për marrjen e 300 eurove shtesë.

“Diskriminimi i radhës është bërë ndaj stafit profesional të mamive të cilat janë obliguar të punojnë me pacientët e dyshuar me Covid-19, por që nuk janë futur në listën e stimulimit për pagesa shtesë, siç po ndodh me pjesën tjetër të infermierëve”, thuhet në reagimin e PDK-së.

 

? NJOFTIMI I FUNDIT: R E A G I M Qeverisja e LDK-së diskriminon një pjesë të stafit mjekësor, stimulohen udhëheqësit e…

Publiée par PDK – Dega Lipjan sur Dimanche 16 août 2020

 

Mospërfshirjen e mamive në këtë masë, e ka konfirmuar drejtori i QKMF-së, Agim Krasniqi.

“Mamitë me sa e di unë nuk janë (të përfshira për pagesën shtesë). Arsyet janë se nuk janë kontakt direkt me COVID-19”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, sipas PDK-së, Krasniqi në listë e ka përfshirë edhe motrën e tij.

“Departamenti për Shëndetësi, kanë hulumtuar se drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare Agim Krasniqi, në mesin e infermierëve e ka futur edhe motrën e vetë për t’i përfituar 300 euro, derisa ka diskriminuar stafin e Mamive. Kjo nënkupton se kjo qeverisje bën edhe shkelje ligjore kur bëhet fjalë përfitimi personal i parasë publike”, thuhet në akuzën e këtij subjekti politik.

Ndërsa Krasniqi e ka konfirmuar se motra e tij është infermiere në QKMF.

“Motra ime është infermiere dhe njëkohësisht është e përfshirë në Covid ambulantën, ajo nuk ka ditë që ka pas masë shtesë, por ka qenë vazhdimisht e inkuadruar në obligime të shërbimeve, kurrgjë tjetër”, u shpreh ai për KALLXO.com.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që tu ndajë nga 300 euro si shtesa mujore për punëtorët shëndetësorë, të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj rrezikut të infektimit me COVID-19.

Sipas vendimit, këto mjete do t’u ndahen mjekëve dhe infermierëve për muajin korrik dhe gusht.