Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku gjatë fushatës elektorale. Foto: Facebook.

PD publikon dokumentet: Kryebashkiaku i Vorës rrezikon 10 vjet burg në Greqi

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi deklaroi se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është arrestuar në qershor 2003 në Greqi për kartmonedha të falsifikuara dhe se ka ende probleme të hapura me drejtësinë greke. Nëse dokumentet verifikohen, Kajmaku rrezikon të jetë kryebashkiaku i dytë i Partisë Socialiste që rrëzohet nga ligji i dekriminalizimit.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi publikoi të hënën dokumente të organeve ligjzbatuese greke, të cilat tregojnë sipas tij se kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku ka precedentë penalë dhe probleme të hapura me drejtësinë në Greqi.

“Megjithëse është në dijeni të plotë të problemeve të hapura me drejtësinë greke, këmbëngulja e Agim Kajmakut për t’i shkuar mashtrimit deri në fund provon se ai ka mbrojtje në nivelet më të larta të pushtetit,” tha Bardhi në një konferencë për shtyp.

“Me heshtjen e tij, Edi Rama provohet se është ai mbrojtësi i Agim Kajmakut me kandidimin e së cilit provoi dhe njëherë se është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me krimin,” shtoi Bardhi.

Duke iu referuar dokumenteve, të cilat BIRN nuk arriti t’i verifikojë në mënyrë të pavarur, Bardhi tha se Agim Kajmaku është arrestuar në flagrancë në Janinë në qershor të vitit 2003 nën identitetin e rremë Jorgo Toto për veprën penale të “përdorimit dhe shpërndarjes së kartmonedhave të falsifikuara”.  Sipas Bardhit, vepra penale është konsumuar gjatë transaksionit për blerjen e disa fidanëve dhe pas qëndrimit të disa ditëve në burg, shtetasi i mësipërm është lënë në detyrim paraqitje.

PD pretendoi gjithashtu se pas hetimeve, Prokuroria dhe Gjykata e Janinës kanë urdhëruar arrestimin me burg të menjëhershëm, pasi vepra penale konsiderohej e rëndë dhe dënohej jo më pak se 10 vjet burg. Bardhi shtoi se arrestimi nuk u bë i mundur për “shkak të arratisjes së Kajmakut të Shqipëri”, ndërsa shtoi se çështja është pezulluar dhe se masa e arrestit është ende në fuqi.

“Rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për një vepër penale që dënohet me të paktën 10 vjet burgim. Ai është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik sipas ligjit për dekriminalizimin…,” tha sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

Agim Kajmaku u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vorës më 30 qershor, si kandidat i vetëm i Partisë Socialiste në bastionin që kontrollohej më parë nga e djathta. Prej dy javësh, Kajmaku i mohon kategorikisht akuzat e Partisë Demokratike se ka qenë i arrestuar apo i dënuar në Greqi.

Kajmaku nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi dokumentet e publikuara nga Partia Demokratike deri në botimin e këtij shkrimi. Por përmes statuseve në Facebook, ai ka pranuar se e kishte ndryshuar emrin në Jorgo Toto në vitin 1996 me qëllim marrjen e një vize greke për veten dhe familjen dhe se kishte punuar deri në vitin 2004 në tregtinë e luleve natyrale me Greqinë, por shtoi se nuk kishte qenë asnjëherë i dënuar dhe se kishte zbatuar ligjin.

Nëse të dhënat e Partisë Demokratike konfirmohen, Agim Kajmaku rrezikon të jetë kryebashkiaku i dytë i Partisë Socialiste që rrëzohet nga ligji i dekriminalizimit pas rastit famëkeq të Valdrin Pjetrit në Shkodër i cili dyshohet se është dënuar për mbajtje të lëndëve narkotike në Firence të Italisë.

Sipas ligjit për dekriminalizimin, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për trafik droge ose për të cilët ka një urdhër dëbimi nga territori i një shteti anëtar të BE-së.

Më parë, dënimet jashtë Shqipërisë i kushtuan karrierën kontroverse politike edhe ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. Në vitin 2018, Rroshi u dënua me 5 muaj burg të konvertuar në punë në komunitet, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Për shkak të së shkuarës kriminale, mandatin e kanë humbur dhe disa deputetë të parlamentit shqiptar, përshirë Shkëlqim Selami dhe Gledion Rahovica nga LSI si dhe Dashamir Tahiri dhe Aqif Rakipi nga PDIU. Ndërkohë, dy deputetë të PS-së, Arben Ndoka dhe Armando Prenga u larguan me dorëheqjen.