Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu. Foto: Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Pasuria e kryetarit të ri të Gjykatës së Gjilanit

Gjyqtari Venhar Salihu është zgjedhur kryetar i Gjykatës së Gjilanit.

Sot, ai mori pozitën e re me shumicën e votave dhe pritet ta mbaj për mandat 5-vjeçar.

Salihu vitin e kaluar ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ka një pasuri të paluajtshme në vlerë të 1 milion e 180 mijë eurove.

Në këtë pasuri, Salihu ka deklaruar se ka dy shtëpi nga 250 mijë euro, të deklaruara në pronësi të prindërve dhe dy troje në vlerë 300 mijë dhe 380 mijë euro, të deklaruara si të përbashkëta me familjarët tjerë.

Salihu po ashtu ka deklaruar se i ka dy vetura në vlerë 19 mijë euro. Njërën nga veturat e ka të deklaruar në pronësi të tij dhe tjetrën në pronësi të bashkëshortes.

Në deklarimin e pasurisë ai ka deklaruar se një shumë prej 3 mijë e 750 euro para të gatshme i mban në njërën nga bankat në Gjilan.

Zotërues të këtyre parave, Salihu ka thënë se janë fëmijët e tij.

Shuma totale e detyrimeve financiare që i ka Salihu ndaj personave juridikë dhe fizikë në AKK thuhet se është 23 mijë e 100 euro.

Salihu ka deklaruar se ka marrë pagë vjetore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në vlerë prej 21 mijë e 742 euro në vit.

Shuma totale që merr bashkëshortja e tij kap shifrën prej 8 mijë e 371 euro nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Gjilan.

Në të dhënat e të hyrave vjetore, po ashtu, thuhet se prindërit e Salihut marrin pensione deri në 3 mijë e 360 euro dhe, po ashtu, nga qiraja merr 1 mijë e 20 euro.

Salihu ka deklaruar se bashkë me bashkëshorten kanë tërhequr nga Trusti 10-përqindëshin. Ai ka marrë 1,803 euro ndërsa bashkëshortja e tij 555 euro.