Pas shkarkimit të Nehat Thaçit, Rasim Selmani emërohet zv.drejtor i burgjeve

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaqi ishte shkarkuar muajin e kaluar nga detyra e tij pas vendimit të Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.

Në vend të Thaqit sic mëson KALLXO.com tani për tani do të jetë Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë Rasim Selmani.

Zëdhënësi i SHKK, Florent Gashi tha per KALLXO.com se Selmani do të jetë zëvendësues i drejtorit të burgjeve, deri në shpalljen e konkursit.

“Po, z. Rasim Selmani, është emëruar Zëvendesues i Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së”, tha Gashi për KALLXO.com

Selmani pati konkuruar për pozitën e kreut të burgjeve të Kosovës në konkursin e vitit 2018 pas daljes në pension të Sokol Zogajt.

Nga pesë kandidatët në atë kohë, Nehat Thaci kishte arritur të merrte pikët për te drejtuar ShKK-në.

Në prill të këtij viti ministrja e drejtësiëë, Albulena Haxhiu kishte njoftuar se ka kërkuar nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, që të shqyrtojë veprimet e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi duke kërkuar të vendosin për shkarkimin e tij.

Kjo si shkak i dhënies në shfrytëzim të një prone në Vushtrri nga SHKK.

“Para disa ditëve kemi pranuar në kabinet një njoftim për shkelje brenda Shërbimit Korrektues për dhënie në shfrytëzim të pronës, për një kompani që nuk i plotësonte kushtet. Bëhet fjalë për 2 ha tokë, kurse dje e kemi pranuar raportin e brendshëm të auditorit e cili e ka evidentuar këtë”, kishte thënë Haxhiu.

Zëvendësministri i MD, MD, Blerim Sallahu kishte thënë në atë konferencë se prona e cila është jep në shfrytëzim nga SHKK i është dhënë në mënyrë të kundërligjshme një kompanie e cila nuk ka qenë e regjistruar në ARBK në momentin është dhënë kontrata.

“Kompania që ka fitu kontratë nuk ka pas çertifkatë të biznesit këtë çertifikatë e ka pranu pesë orë pasi ka pranu kontratë për shfrytëzimin e pronës. Baza ligjore nuk jep të drejtë për dhënien në shfrytëzim të asaj prone. Në kundërshtim me ligjin akterët e përfshirë kanë lidhur kontratën e cila jep në shfrytëzim pronën e MD dhe SHKK ndërsa në këmbim është marrë çmim banal prej 2100 euro në muaj, ndërsa sipas vlerës së tregut çmimi është më i lartë. Kompania ka demolu hotelin Vicinaum dhe objekte të tjera, kemi të bëjmë më ndërmarrja të përbashkët kriminale. Kontrata është nënshkruar nga Nehat Thaçi”, ka thënë Sallahu.

Ish-drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi në një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë atë kohë se  Ministria e Drejtësisë ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike, duke shtuar se procesi është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm.

Ministria e Drejtësisë: Kemi pranuar vendimin e shkarkimit të Nehat Thaçit