Pas inicim shkarkimit, reagon Nehat Thaçi: MD ka zgjedhur personin e gabuar për luftë politike

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një konferencë për media ka thënë se ka inicuar procedurat e shkarkimit të drejtorit të Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi në Këshillin e Vlerësimit dhe Disiplinës.

Kjo si shkak i dhënies në shfrytëzim të pronës së “ish motelit Vicianum” në Vushtrri.

Drejtori i SHKK-së, Nehat Thaçi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike, duke shtuar se procesi është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm.

“Rasti për të cilin paska folur ministrja Haxhiu dhe zëvendësi i saj, është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm. Këtë e dëshmon dosja me dokumente zyrtare e ankandit publik. Për këtë proces, ministrja ka qenë e njoftuar në mandatin e kaluar dhe është pajtuar në parim për dhënien me qera të kësaj prone. Ky proces i nisur për të mirën e Shërbimit Korrektues, ka rezultuar me përfitime për shërbimin në vlerë prej 500 mijë eurove”, ka thënë Thaçi.

Ai ka kërkuar nga ministrja e Drejtësisë që rastin ta dërgoj në prokurori.

“Dje e kam takuar ministren Haxhiu e cila ka shprehur respekt për punën time dhe të arriturat e Shërbimit Korrektues, por ka thënë se është e detyruar që të më dërgoj në komision disiplinor. Kërkoj nga ajo që këtë lëndë ta dërgojë në prokurori, ndryshe do ta bëjë unë”, ka thënë Thaçi në një përgjigje për KALLXO.com

Zëvëndësministri i MD, Blerim Sallahu gjatë konferencës ka theksuar se prona e cila është dhënë në shfrytëzim nga SHKK, i është dhënë në mënyrë të kundërligjshme një kompanie e cila nuk ka qenë e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në momentin kur është dhënë kontrata.

“Kompania që ka fituar kontratë, nuk ka pas çertifkatë të biznesit. Këtë çertifikatë e ka pranuar pesë orë pasi ka pranuar kontratën për shfrytëzimin e pronës. Baza ligjore nuk jep të drejtë për dhënien në shfrytëzim të asaj prone. Në kundërshtim me ligjin akterët e përfshirë kanë lidhur kontratën e cila jep në shfrytëzim pronën e MD dhe SHKK ndërsa në këmbim është marrë çmim banal prej 2,100 euro në muaj, ndërsa sipas vlerës së tregut çmimi është më i lartë. Kompania ka demoluar hotelin ‘Vicinaum’ dhe objektet tjera, andaj këtu kemi të bëjmë me ndërmarrje të përbashkët kriminale. Kontrata është nënshkruar nga Nehat Thaçi”, ka thënë Sallahu.

Iniciohet shkarkimi i Nehat Thaçit, drejtorit të Shërbimit Korrektues