Pas rasteve pozitive me COVID-19 në një shkollë në Vushtrri, mësimi vazhdon online

Disa nxënës dhe mësimdhënës të shkollës fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri kanë dalë pozitivë me COVID-19. Të njëjtit janë testuar pasi u paraqitën raste të dyshimta.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka njoftuar se të gjithë të infektuarit janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Tahiri ka treguar që bazuar në Protokollin për rregullat e sjelljes në shkollë në kushte pandemie, kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të nxjerrin vendim për kalimin nga skenari A i mësimit në skenarin C që do të thotë mësim në distancë dhe online.

“Me qëllim të ruajtjes së shëndetit të fëmijëve dhe gjithë qytetarëve, nga nesër, ditë e hënë, nxënësit e shkollës fillore “Mustafë Venhari” mësimin do ta vazhdojnë në distancë”, ka theksuar Tahiri.

Më tej, i pari i Vushtrrisë ka thënë se Task Forca Komunale, Shtabi Emergjent dhe MSh, MAShT e IKShPK do të përcjellin situatën dhe në kohë do të marrin vendim për rikthim në shkollë varësisht nga situata epidemiologjike.

Më datën 14 shtator, sipas Vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe pas certifikimit të shkollave nga Inspektorati i Arsimit, ka filluar mësimi për klasat parafillore, nivelin fillor, klasat e gjashta dhe klasat e dhjeta.

Bazuar në këtë, Komuna e Vushtrrisë për fillimin e vitit shkollor 2020/2021, u përcaktua që mësimi të fillojë sipas skenarit “A” që do të thotë të gjithë nxënësit që duhet fillonin mësimin më 14 shtator çdo ditë të vijojnë mësimin në shkollë.

“Për t’i mbajtur fëmijët në shkollë na duhet bashkëpunimi i prindërve, të përcillen me kujdes fëmijët e prindërit, nëse kanë çfarëdo shenje të lajmërojnë mësuesen e shkollën dhe të qëndrojnë në shtëpi që të ruajmë fëmijët tjerë”, thuhet në njoftimin e kryetarit Tahiri.