Ilustrim

Pas paralajmërimit për padi, qytetarët dërgojnë kërkesë në Komunën e Prishtinës për qentë endacakë

Qytetarja e Prishtinës, Vlora Konushefci, sot në emër të disa qytetarëve të Prishtinës ka dërguar kërkesë në komunën e Prishtinës për të gjetur një zgjidhje për sulmet nga qentë endacakë.

Drejtoria për Shërbime Publike ka pranuar kërkesën e qytetarëve dhe ka ftuar ata që të vijnë në takim të hënën në ora 10:00.

Konushefci para dy ditësh kishte raportuar që në rrugën C qentë endacakë e kanë sulmuar djalin e saj 12 vjeçar, njëri prej të cilëve edhe e kishte kafshuar.

Ajo sot ka dërguar kërkesën në komunë që t’ia mundësojnë një takim ku do të prezantohen faktet dhe dëshmitë nga sulmet e qenve muajve të fundit.

Konushefci ka kërkuar nga autoritet komunale adresim urgjent të çështjes përpara sa të ndërmarrin veprime të tjera ligjore.

Sipas saj duhet të ndërmerren masa urgjente për shmangien e situatave të tilla në prag të fillimit të vitit shkollor kur fëmijët fillojnë mësimin në ora 07:30, orë e hershme e mëngjesit që mund të ketë gjasa për sulme të qenve endacakë.

“Kërkojmë nga autoritetet komunale që të na e mundësoni një takim, me ç’rast do t’ua prezantojmë faktet dhe dëshmitë e sulmeve këta muajt e fundit. Siguria qytetare është përtej tenderëve apo procedurave të tjera administrative, ndaj çfarëdo arsyetimi në këtë kontest e zbeh idenë e sigurisë për komunitetin. Andaj, kërkojmë dhe shpresojmë adresim urgjent të çështjes përpara se të ndërmarrim veprime të tjera ligjore”, thuhet në kërkesë.

Konushefci kishte ftuar të gjithë ata që kanë pësuar sulme nga qentë endacakë që t’i bashkohen nismës së saj për të mbledhur faktet dhe ta padisin komunën e Prishtinës.